Ëndrra “rap” e një shitësi akulloresh

15/04/2014 00:00

Një shitës akulloresh që ia del të realizojë një disk muzikor. Kjo është historia e Admir Bonjakajt, shqiptarit që ka gjetur hapësirë edhe në mediat e njohura italiane.

Addi, siç njihet me emrin e artit, prej 10 vitesh jeton me familjen në Arona, në veri të Italisë, dhe me kursimet e tij personale prezantoi përmbledhjen e parë muzikore. Titulli i albumit të tij, që në shqip është “jetë dhe dashuri”, u prit me shumë interes jo vetëm nga publiku, por edhe nga mediat e specializuara të muzikës.

I riu shqiptar me origjinë nga Vlora, ka mbajtur edhe dy apo tre punë vetëm për të realizuar ëndrrën e tij në muzikë. Në moshën 13-vjeçare ishte filmi i reperit të njohur amerikan Eminem që e frymëzoi dhe i dha atij shtysën që një ditë edhe ai mund të bënte një këngë, por ëndrra erdhi duke u rritur derisa ai realizoi një album.

Addi frymëzimin e merr nga jeta e përditshme dhe në tekstet e tij pasqyrohet çdo gjë çfarë i ka ndodhur atij, me paragjykimet, vuajtjet  apo vështirësitë e përshtatjes në itali. Në artin e tij ai nuk harron asnjëherë origjinën, sakrificat e prindërve, në të cilat sheh ato të të gjithë emigrantëve.

Ky është vetëm fillimi i një artisti që premton shumë.

“Unë vazhdoj të shes akullore dhe njerëzit habiten me këtë pasi më thonë që tani jam këngëtar”, thotë Addi në studion e “Pasdite në Top Channel”.

“Unë doja të bëja diçka që njerëzit të më njihnin dhe të më pranonin. Albumin me 16 këngë e kam realizuar vetë, me punë dhe sakrifica”, shton repisti shqiptar.

Top Channel