Erisjena Rruplli, 18-vjeçarja e ndrojtur që drejtoi seancën në OKB

15/04/2014 00:00

Dy vite më parë, Erisjena Rruplli ishte vajza që druhej të ngrinte dorën në klasë për të thënë mësimin që e dinte me pikë e me presje.

Ndërsa sot, është vajza që ngre dhjetëra e dhjetëra të rinj nga qyteti i vogël i Librazhdit për të ndërmarrë inisiativa për shkollën apo për qytetin.

18-vjeçarja nga Librazhdi ishte dhe është adoleshentja tipike që mendon se mund të ndryshojë botën. Por, ndryshe nga shumë bashkëmoshatarë të saj, që kur ka filluar të besojë tek vetja, ka filluar ta ndryshojë vërtet botën e saj.

Mësuesi i biologjisë, Ismet Bahiti, preferon ta quajë “enzimë” nxënësen që e sheh në krye të çdo organizimi rinor në shkollë e në qytet: “Në sport, në pastrim… e shikon në të gjitha drejtimet tashmë.”

Jo vetëm mësuesit, por edhe nëna e saj ka parë një Erisjenë tjetër. Ajo sigurisht e dinte çfarë mundësish kishte Erisjena, por shihte se ajo e shfaqte zhvdërvjelltësinë e saj vetëm brenda mureve të shtëpisë.

“Ka ndryshuar 100%. Më parë nuk kishte guxim të fliste edhe kur kishte të drejtë. Tani ka shpërthyer”, thotë nëna e saj.

Ndërsa tani, vetëvlerësimi është çelësi që i hap çdo derë nga e cila e privonte veten dy vite më parë. Një çelës që ka marrë përsipër t’ua tregojë dhe bashkëmoshatarëve të saj, të ndrydhur në komplekset e moshës.

Plot 800 nxënës janë trajnuar nga ajo mbi temën e vetëvlerësimit. E plot inisiativa kanë filluar së bashku për të ndihmuar fëmijët me aftësi të kufizuar, për të pastruar qytetin apo për të rregulluar palestrën e shkollës.

Dy vjet më parë, Erisjena ishte vajza e thjeshtë që kujdesej për vëllain e motrën më të vogël e që skuqej e bëhej prush kur ngrihej në mësim. Vetëm pak muaj më parë, ishte vajza e sigurt në vetvete që moderoi e vetme një nga seancat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara duke ngritur zërin për të rinjtë.

Top Channel