Të famshmit me vetëvlerësim të ulët

15/04/2014 00:00

Është e lehtë të mendosh që njerëzit e suksesshëm, të bukur e të talentuar të kenë vetëvlerësim të lartë dhe të ndjehen të kënaqur me veten.

Ndaj është kurajoze kur njerëz të famshëm pranojnë në intervista se kanë pasur vetëvlerësim të ulët. Ose të paktën që janë përballur me tronditje të vetëvlerësimit në disa momente të jetës së tyre, por që kanë gjetur rrugë për ta sfiduar dhe për ta përmirësuar atë.

‘Huffington Post’, një nga mediat më prestigjoze, ka listuar 5 njerëz të famshëm që kanë folur publikisht për problemet që kanë pasur me vetëvlerësimin.

Maraja Keri ka thënë në një intervistë në vitin 2009 se pasi ka nxjerrë në treg 11 CD, ka aktruar në 5 filma Hollivudi dhe ka fituar mbi 200 çmime muzikore, se gjithnjë ka pasur vetëvlerësim të ulët për veten dhe se vazhdon ta ketë ashtu.

Devid Boui, muzikanti, këngëtari, kompozitori dhe aktori i njohur, ka rrëfyer se pikërisht në vitet ’70, kur për të mbusheshin sallat me fansa, kishte probleme të mëdha me paraqitjen e tij dhe një vetëvlerësim të ulët. “Po ngjitesha shumë shpejt dhe ndjehesha shumë i papërshtatshëm. Mendoja se vetëm puna ishte e vetmja gjë me vlerë.”

Serena Uilliams, kampionia e tenisit, i ka treguar Oprah Uinfrit se kur ishte e vogël gjithmonë ëndërronte të ishte si motra e saj, Venus Uilliams, një tjetër superstar tenisi. “Kur shkonim në restorant, unë porosisja e para, por pasi porosiste motra, menjëherë ndryshoja mendje. Më është dashur shumë punë për të hequr dorë nga varësia që kisha krijuar nga motra ime dhe për t’u bërë kjo që jam.”

Nikol Shercinger, këngëtare e famshme, e cila ka shitur mbi 50 milionë disqe, e shumëadmiruar për imazhin dhe zhvdërvjelltësinë e saj, ka treguar se ka qenë e varur nga bulimia. “Kur zbrisja nga skena, preferoja të mbyllesha në dhomën time, të qëndroja vetëm. E urreja veten time dhe i bëja keq. Isha gjithmonë me njerëz dhe unë ndjehesha vetëm. Kam vuajtur 8 vjet dhe nuk kam folur kurrë më përpara për këtë gjë.”
Aktorja Kejt Uinslet ka treguar gjithashtu publikisht se kur ka qenë adoleshente, bashkëmoshatarët e thërrisnin “balena”.  Asokohe ishte 80 kilogramë dhe shoqet i thonin që për shkak të përmasave të saj asnjë djali nuk do i dukej tërheqëse.  “Edhe tani nuk e konsideroj veten të bukur, absolutisht që jo”, tha Uinslet pasi fitoi në vitin 2009 çmimin Oskar.

Top Channel