Kandidati i Partisë Demokratike Shqiptare, Iljaz Halimi, mori 39,000 vota në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale. Kjo shifër është dukshëm më e ulët se numri i votave, që kjo parti ka siguruar në ciklet e kaluara zgjedhore.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2011, PDSH-ja kishte marrë 66,000 vota, ndërsa në zgjedhjet lokale të vitit 2013, për PDSH-në kanë votuar 77,000 qytetarë.

Nga Partia Demokratike Shqiptare thonë se në rezultatin e raundit të parë, në zgjedhjet presidenciale, kanë ndikuar në masë të madhe kërcënimet dhe presionet e zyrtarëve të BDI-së ndaj shqiptarëve, për të mos dalë në zgjedhje.

Krerët e PDSH-së shprehen të sigurt, që mbështetja për këtë parti do të rritet dukshëm në zgjedhjet parlamentare, pas dy javëve, kur presin të sigurojnë deri në 14 mandate deputetësh në Kuvend, për çka nevojiten mbi 100,000 vota.

“Ne jemi në një situatë shumë të favorshme, ku u tregua se PDSH-ja është një forcë shumë e madhe, një strukturë jashtëzakonisht e fuqishme, ndaj dhe unë parashikoj që këto vota, shumë shpejt për dy javë, do të konvertohen në 13 apo 14 deputetë”, u shpreh Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.

Nga ana tjetër, partia e Ali Ahmetit, BDI, pjesëmarrjen e ulët të shqiptarëve në zgjedhjet presidenciale e ka komentuar si fitore të idesë së kësaj partie, për një president konsensual në Maqedoni.

Kjo parti, që në zgjedhjet parlamentare të vitit 2011 kishte fituar 115,000 vota dhe në ato lokale të 2013-s, rreth 135,000 vota, në këto zgjedhje të përgjithshme pret përkrahje më të madhe se në të kaluarën. Zyrtarët e BDI-së po kërkojnë mbështetjen e shqiptarëve për të siguruar më 27 Prill 25 mandate në Kuvend.

“Ftoj për 25 mandate politike, me qëllim që të fitojmë sa më shumë të jetë e mundur”, deklaroi Ermira Mehmeti, deputete e BDI-së.

Në përbërjen e fundit parlamentare, nga 123 vende gjithsej në Kuvendin e Maqedonisë, shqiptarët kishin siguruar 25 vende: 15 BDI-ja, 8 PDSH-ja dhe 2 RDK-ja.

Në bazë të pritshmërive, që po shfaqin partitë shqiptare gjatë kësaj fushate, numri i deputetëve shqiptarë në Parlament do të kalonte mbi 40, që sipas disa analistëve në Shkup vështirë se mund të ndodhë.

Sondazhet e publikuara gjatë fushatës rendisin BDI-në e Ahmetit përpara PDSH-së së Menduh Thaçit dhe RDK-së së Rufi Osmanit. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen më 27 Prill, bashkë me raundin e dytë të presidencialeve.

Top Channel