Montezemolo: Do të rikthehemi fitimtarë

15/04/2014 00:00

“Unë besoj dhe vë dorën në zjarr. Jam i sigurt se Ferrari do të rikthehet fitimtar”. Këto janë fjalët e presidentit të “kokëkuqes”, Luca di Montezemolo, një ditë pas kthesës së madhe në skuderinë nga Maranello, me dorëheqjen e kreut të menaxhimit sportiv, Stefano Domenicali, dhe emërimit të Marco Mattiacci-t, ish-presidentit të Ferrari Nord America.

“Stefano, pas 23 vitesh me ne, pati kurajon të jepte dorëheqjen, diçka e rrallë në vendin tonë”.

“Do të jem më afër Formulës 1 dhe Ferrari-t, edhe pse po kërkojnë me të gjitha mënyrat të prishin qarkun tonë – ka shtuar Montezemolo, me rastin e inaugurimit të Ferrari-t të ri “California T”. – I pari që nuk jam i kënaqur me këtë fillimsezoni jam unë. Dje, Domenicali pati kurajon që pas 23 vitesh me ne të jepte dorëheqjen. E bëri këtë pasi kishte fituar 3 tituj botërorë dhe kishte humbur 3 të tjerë në garën e fundit. Por, ky është ligji i sportit. Vendosin rezultatet dhe Stefano vendosi të largohet”.

Sa i përket zgjedhjes së Mattiacci-t: “Vendosa të zgjedh një menaxheri të ri, tek i cili besoj shumë. Kam dëgjuar e lexuar komente pa lidhje, si për shembull që Mattiacci nuk është një teknik. Por, te Ferrari ne jemi të gjithë teknikë. Doja t’i besoja një personi që ishte pjesë e familjes Ferrari, pa dalë për të kërkuar vërdallë, sepse jemi ende të mbushur plot me kualitet dhe kapacitet. Tashmë na duhet të përveshim mëngët, edhe pse në nxitim e sipër ju harroni se sa është fituar më përpara. Për ne, Ferrari është vet jeta jonë – ka vijuar presidenti i “kokëkuqes”, – ndaj dhe nuk duam që, për faj të rregullores, të prishet gjithë kjo që kemi ndërtuar”.

Për ta mbyllur: “Me Marco-n jemi në sintoni të plotë”.

Top Channel