Rikthehet dimri me dëborë

16/04/2014 00:00

Prej mbrëmjes së djeshme, reshjet e shiut në zonat malore janë kthyer në reshje dëbore duke sjellë shumë probleme.

Raportohet se në Qarkun e Korçës, Dibrës, Kukësit, Elbasanit dhe Shkodrës ka zona ku trashësia e dëborës ka shkuar deri në 40 centimetra, ndërsa lëvizja e mjeteve në disa zona bëhet vetëm me zinxhirë.

Nuk raportohen rrugë të bllokuara, por paralajmërohet të bëhet kujdes gjatë lëvizjes.

Në qarkun e Kukësit, në zonat malore dëbora ka krijuar probleme, ndërsa gjatë natës në Rrugën e Kombit kanë punuar borëpastrueset për të mbajtur hapur kalimin. Sot në mëngjes, në qytetin e Kukësit rinisën reshjet e shiut duke shkrirë dëborën e rënë, por problemet vijojnë në Rrugën e Kombit ku duhet patur kujdes.

Në qarkun e Dibrës ka dëborë në disa pjesë të rrugës Tiranë-Peshkopi, por edhe në rrugën Peshkopi-Kukës. Mëngjesin e sotëm, dëborëpastrueset nisën punën për të hapur kalimin në aksin rrugor pranë Bulqizës. Në qarkun e Elbasanit raportohen reshje dëbore në zonat e thella, në Stërblevë dhe në lartësitë mbi 800 metra mbi nivelin e detit.

Në qarkun e Korçës policia njofton se në Qafë-Thanë lëvizja është e kalueshme pa zinxhirë, ndërsa në aksin Qafë-Plloçë- Grabovicë janë të kalueshme me zinxhirë.

Aksi rrugor Qafë-Qarri dhe aksi rrugor Ersekë-Leskovik, Korçë-Dardhë dhe Korçë-Voskopojë janë të kalueshme dhe kanë prezencë dëbore. Probleme ka në aksin Shkodër-Pukë, por edhe në disa rrugë rurale në Malësinë e Dukagjinit dhe në Theth, ku reshjet e dëborës vijuan gjatë.

Ndërkohë, OST-ja njofton se dëbora ka dëmtuar disa linja transmetimi në zonat veriore duke shkaktuar shkëputjen e energjisë në disa zona në Kalimash, Fushë-Arrëz, Kukës e Bajram Curri.

Top Channel