Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale në Maqedoni përfundoi ashtu siç pritej: me votuesit shqiptarë të përçarë, në ata që dëgjuan BDI-në për të mos votuar dhe ata të PDSH-së që votuan për kandidatin e kësaj partie, Iljaz Halimin.

Mes këtyre dy kampeve mbeti edhe përqindja në rritje e votuesve shqiptarëve, të cilët qysh në zgjedhjet e mëparshme kanë hequr dorë nga e drejta për të zgjedhur.

Rezultatet e raundit të parë tregojnë se kandidati i VMRO-DPMNE-së, presidenti aktual Gjorgje Ivanov, ka marrë 448,776 vota. Ndërkaq, ai i partisë opozitare maqedonase LSDM, Stevo Pendarovski, 326,090 vota.

Dy të paracaktuarit, që morën pjesë për të humbur, kandidati shqiptar i PDSH-së Ilijaz Halimi mori 38,965 vota dhe Zoran Popovski, i partisë opozitare maqedonase GROM, mori 38,965 vota.

Nga 1,779,572 votuesit me të drejtë vote në Maqedoni, në raundin e parë votuan 48,85 përqind prej tyre. Gjë që dëshmoi se tani, kur pragu për zgjedhjen e presidentit u zbrit nga 50%+1 votues në 40%+1 votues, presidenti i shtetit mund të zgjidhet edhe pa votat e shqiptarëve.

Ndryshim ky, që u bë para zgjedhjeve të parafundit presidenciale, edhe me pëlqimin e BDI-së shqiptare, e cila në këto zgjedhje doli me idenë për kandidat konsesual për president.

Raundi i parë i presidencialeve në Maqedoni nuk shpalosi vetëm të vërtetën se vota e shqiptarëve, tani më nuk është vendimtare për zgjedhjen e presidentit të shtetit, por edhe të vërtetën se votuesit shqiptarë kanë filluar ta humbasin besimin te partitë e tyre.

Gjë, të cilën e dëshmon e vërteta se edhe ata pak shqiptarë që votuan, mbështetën edhe kandidatët maqedonas, përfshi edhe atë të VMRO-DPMNE-së, parti për të cilën thuhet se ka paraprijë antishqiptare.

Rezultatet e raundit të parë paralajmërojnë se fitues do jetë Gjorgje Ivanov. Realisht vlerësuar, dallimi mes Ivanovit dhe kandidatit të LSDM-së, Stevo Pendarovski, duket i paarritshëm dhe, ai do mund të arrihet e të tejkalohet vetën nëse shumica e votuesve shqiptarë do e përkrahnin Pendarovskin.

Pra, nëse shqiptarët e Maqedonisë do vendosnin ta dënonin VMRO-DPMNE-në. Gjë që, tani për tani, duket e pamundur. Në mos për hiçgjë tjetër, atëherë për shkak se përqindja e daljes së votuesit shqiptar në zgjedhje, në përgjithësi është në rënie, si dhe për shkak se edhe qëndrimi i BDI-së për t’i bojkotuar zgjedhjet, njësoj si edhe ai i PDSH-së për të marrë pjesë në to, shkon në favor të partisë së Gruevskit.

Top Channel