Real-Barça, përballja e frikës

16/04/2014 00:00

Real Madrid dhe Barcelona do të përballen sot në mbrëmje në një finale të shenjuar nga frika.

Frika e Barcelonës: të mbyllë sezonin pa asnjë trofe dhe të humbasë një tjetër finale ndaj rivalëve të përjetshëm. Frika e Realit: një tjetër humbje do të thotë që gjatë këtij sezoni nuk i kanë mundur kurrë katalanasit.

Kupa e Mbretit është titulli që të dyja këto klube e shohin më afër sot për sot. Kampionati aktualisht është në duart e Atletico Madrid, ndërsa në Ligën e Kampioneve madrilenët kanë një përballje të vështirë në gjysmëfinale kundër Bayern Munchen. Përsa i përket katalanasve, u eliminuan në çerekfinale nga Atletico Madrid.

Trajneri i madrilenëve, Carlo Ancelotti, ka kërkuar nga skuadra e tij “guxim dhe përgjegjshmëri” për këtë ndeshje: “Nuk duam thjesht të bllokojmë kundërshtarin, por të tregojmë virtytet tona duke luajtur me të njëjtin stil, ashtu siç kemi bërë gjatë gjithë sezonit.”

Nga ana e tij, “Tata” Martino u tregua shumë i sinqertë në prag të kësaj finaleje: “Sido që të shkojë kjo ndeshje, unë mendoj se sezoni ynë nuk ishte pozitiv. Nuk do të justifikoj me fitoren e mundshme të Kupës ato që nuk bëmë në kompeticionet e tjera.”

Top Channel