Kanada, festa përfundon në tragjedi

16/04/2014 00:00

Ajo që duhet të ishte një festë e zakonshme mes të rinjsh, ka përfunduar në tragjedi, një ngjarje e rrallë kjo për qytetin e qetë kanadez të Calgary-t.

Një prej të ftuarve u vërsul me thikë mbi studentët e tjerë, duke vrarë 5 vetë, të gjithë të moshës nga 22 deri në 27 vjeç. Agresori, Mathew de Grood, është i biri i një efektivi të policisë. Episodi konsiderohet më i rëndi i kësaj natyre në të gjithë historinë e qytetit.

“Ishin të gjithë fëmijë të mirë. Nuk kanë bërë asgjë për të merituar këtë që i ndodhi. I dyshuari ka shkuar në festë me një thikë të madhe me vete, e i ka qëlluar pa mëshirë viktimat e tij një nga një”, tha Rick Hanson, shef i policisë së Calgary-t.

I riu është prangosur, e mbi të janë ngritur 5 akuza për vrasje, ndërsa policia po përpiqet të zbulojë motivin e sulmit. Lagjia ku ndodhi ngjarja është shumë pranë Universitetit të Calgarit, të cilin e kishte frekuentuar edhe agresori.

Sipas raporteve në mediat vendase, De Grood kishte ndërmend të vazhdonte studimet për drejtësi. Sulmi ndodhi pak pas mbërritjes së tij në festë dhe, fakti që kishte një thikë me vete, tregon se mund të bëhet fjalë për një veprim të paramenduar.

Deri tani nuk ka të dhëna, që të dëshmojnë ekzistencën e ndonjë incidenti, i cili t’i ketë paraprirë episodit të rëndë. Po kështu, nuk besohet që i riu rreth të 20-ave të kishte konsumuar drogë apo alkool.

Sipas fqinjëve, personat në shtëpinë e kthyer në skenën e tragjedisë po festonin ditën e fundit të mësimit, e kishin ndezur edhe një zjarr të madh në kopësht. Tri nga viktimat e tij ndërruan jetë në vendngjarje, dy të tjerët, një nga të cilat femër, vdiqën më vonë në spital për shkak të plagëve të rënda.

I dyshuari mësohet të jetë larguar në këmbë pas sulmit, por arratia e tij nuk zgjati veçse 40 minuta falë ndërhyrjes së shpejtë të policisë.

Top Channel