Kinë, rritja ekonomike 7,4% gjatë këtij tremujori

16/04/2014 00:00

Ekonomia kineze është rritur me 7,4% në tremujorin e parë të këtij viti, shumë më mirë nga sa mund të prisnin ekspertët. Por, gjithsesi, ajo ka pësuar një ulje të vogël krahasuar me rritjen 7,7% të tremujorit të fundit të vitit të kaluar.

Të dhënat e tjera të publikuara së bashku me Produktin e Brendshëm Bruto (GDP) tregojnë se prodhimi industrial është rritur me 8,8% në Mars, krahasuar me 1 vit më parë.

Të ardhurat nga shitjet me pakicë për të njëjtin muaj kanë kapur majën me 12,2%, duke nënvizuar përpjekjet e Kinës për të nxitur rritjen ekonomike përmes konsumit të brendshëm.

Vitin e kaluar, Kina kishte vendosur objektivin e rritjes për vitin 2014 në 7,5%, pjesë e përpjekjeve për të stabilizuar ekonominë pas vitesh të tëra të ekspansionit tepër të shpejtë.

Të dhënat e rritjes për Kinën janë të vëzhguara me kuriozitet nga vendet e rajonit. Një rënie apo ngadalësim do të dëmtonte ekonomitë aziatike, veçanërisht ato që eksportojnë mallra dhe komponentë industrialë drejt ekonomive të dyta më të mëdha të botës.

Një fillim i ngadaltë për këtë vit nuk është i pazakontë, për shkak të Vitit të Ri Hënor, gjatë të cilit shumë biznese dhe ndërmarrje mbyllin operacionet e tyre për rreth 2 javë. Por, të dhënat e fundit nga prodhimtaria, ashtu si dhe nga sektorët industrialë kanë qenë të dobta, duke shtuar frikën e një ngadalësimi edhe më të gjatë.

Top Channel