Al-Qaeda, video e re tubimi në Jemen

16/04/2014 00:00

Një video e re që qarkullon në rrjetet sociale tregon atë që duket si mbledhja më e madhe dhe më e rrezikshme e al-Qaeda-s ndër vite. CIA dhe Pentagoni ose nuk kanë pasur dijeni për të, ose thjesht nuk mund të çojnë ndonjë dron (avion të telekomanduar) në vendndodhje në kohën e duhur për t’i sulmuar.

Zyrtarët amerikanë nuk kanë komentuar mbi këtë lajm, por çdo “frame” i videos po analizohet nga Shtetet e Bashkuara.

Diku në mes të klipit, personi i njohur si princi trashëgimtar i al-Qaeda-s, Nasir al-Wuhayshi, shfaqet pa pasur aspak ndrojtje në publik, duke marrë duartrokitjet e ndjekësve në Jemen. Al-Wuhayshi, lideri numër 2 botëror i al-Qaeda-s, si dhe kreu i organizatës “al-Qaeda në Gadishullin Arabik” (AQAP), ka bërë të ditur se dëshiron të sulmojë Shtetet e Bashkuara.

Por, në video, ai duket i pashqetësuar se mund të goditet nga ndonjë avion i telekomanduar amerikan. Videoja nisi të shfaqej në faqet e internetit të xhihadistëve, së fundi, duke tërhequr vëmendjen e zyrtarëve amerikanë dhe ekspertëve globalë të terrorizmit. Sipas zyrtarëve amerikanë, besohet se ajo mund të jetë autentike.

“Kjo është një video e jashtëzakonshme”, tha Paul Cruickshank, një analist anti-terrorizmi i CNN. Videoja tregon al-Wuhayshi teksa iu adresohet më shumë se 100 luftëtarëve diku në Jemen, – Cruickshank, – një vend kryeneç dhe i pabindur në jug-perëndim të Gadishullit Arab. Lideri i al-Qaeda-s është “duke marrë një rrezik të madh, nëse bën të tilla gjëra”, tha analisti.

Megjithatë, fjalët e tij drejt turmës nuk shquhen qartësisht, duke mos u mësuar misioni i tij.

Në një fjalim ndaj grupit, al-Wuhayshi e bën të qartë se do të shkojë drejt Shteteve të Bashkuara, duke thënë “ne duhet të eliminojmë kryqin… Bartësi i kryqit është Amerika!”.

Zyrtarët amerikanë besojnë se videoja me një cilësi të lartë është e kohëve të fundit. Duke qenë se disa luftëtarë i kanë fytyrat e tyre të mbuluara, shtohet shqetësimi se kjo shënjon një raund të ri komplotesh terroriste.

“Komuniteti amerikan i inteligjencës duhet të jetë surprizuar nga një grup kaq i madh i al-Qaeda-s i mbledhur së bashku, përfshi lidershipin, dhe që ka kaluar pa u vënë re prej tyre”, tha Peter Bergen, analist për sigurinë kombëtare i CNN. Ka arsye shumë të fortë për të qenë të shqetësuar.

Top Channel