Unifikimi i shkollës shqipe

16/04/2014 00:00

Nxënësit shqiptarë dhe ata të Kosovës pritet që shumë shpejt të mësojnë me kurrikula të njëjta. Grupet e punës me specialistë të përbashkët po punojnë për unifikimin e programeve të kurrikulës.

Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla, gjatë një takimi me homologun e saj në Kosovë, Ramë Buja, tha se Shqipëria do ta kthejë sistemin parauniveristar si në Kosovë, pra 5+3+2.

“Referenca të strukturës së sistemit, kemi njehsuar nivelet arsimore të sistemit tonë me atë kosovar dhe kemi kaluar nga viti shkollor, si njësia bazë e kohës mësimore, te shkalla e kurrikulës, që zgjeron me më shumë se 1 vit kohën e nevojshme për nxënësit, që të arrijnë rezultatet e të nxënit të përcaktuara për secilën shkallë”, u shpreh ministrja Lindita Nikolla.

“Ekipet tona të përbashkëta kanë bërë punë të mrekullueshme, që kjo kurrikul të mos jetë vetëm në 10 mijë e pak km katrorë, por të zgjerohet në më shumë të tilla, me qëllimin e vetëm: të arrihet një nivel më i lartë i arsimit në nivel nacional”, deklaroi ministri i Arsimit në Kosovë, Ramë Buja.

Brenda muajit Maj, grupet e punës priten të dalin me disa piketa të përbashkëta në punën e kryer për unifikimin e programeve mësimore mes dy vendeve.

Top Channel