Moti që mposht ligjet e natyrës

16/04/2014 00:00

Reshjet e dendura të dëborës kanë mbuluar një pjesë të madhe të zonave malore në të gjithë vendin, ndërkohë që temperaturat kanë pësuar një ulje me 10 gradë Celsius.

“Shqipëria është përfshirë nga një presion i ulët atmosferik dhe masa të ftohta veriore që kanë sjelljë reshje me intensitet të lartë në ultësirën perëndimore dhe dëborë në veri-lindje dhe jug-lindje të rajonit. Deri në këto momente në rrethin e Peshkopisë janë regjistrauar 35 cm borë në qytet dhe kjo ka sjellë rënie të ndjeshme temperaturash”, sqaron meteorologia Rezarta Xhakollari.

Edhe dita e enjte pritet të jetë e ftohtë dhe me mot të paqëndrueshëm. Çrregullimet e motit pritet të vijojnë deri në fundjavë, ku sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak pritet të kemi edhe një përmirësim të motit.

“Nëser do të ketë sërish reshje shiu, edhe e premtja e paqëndrueshme, deri të shtunën kur do të kemi ardhje frontale nga rajone perëndimore. Ndërsa të dielën do ndryshojnë kushtet atmosferike dhe do të futen masa më të ngrohta mesdhetare”, sqaron më tej Xhakollari.

Shumë rrugë të vendit janë mbuluar nga dëbora. Këto anomali të motit kanë nisur të përsëritet herë pas here në vendin tonë, edhe pse këtë herë reshjet e dëborës do të ndihmojnë sektorin energjitik.

Ky mot i pazakontë në mes të pranëverës pritet që dëmet më të mëdha t’i shkaktojë jo në rrugë, por në bujqësi, pasi dëbora dhe i ftohti vijnë në një kohë kur ditët e ngrohta kishin stimuluar çeljen e pemëve frutore.

Top Channel