Dezertojnë ukrainasit, NATO premton përforcime

16/04/2014 00:00

Separatistët pro-rusë kanë ngritur flamurin rus në mjetet e blinduara ukrainase, në rajonin lindor të Ukrainës gjatë së mërkurës, duke tallur kështu përpjekjet e qeverisë pro-perëndimore të Kievit për të rimarrë kontrollin e ndërtesave të administratës lokale, në prag të bisedimeve të Gjenevës mbi të ardhmen e vendit.

Mes retorikës së përshkallëzuar të Moskës dhe Kievit, incidenti nënvizoi kundërshtimin e separatistëve pro-rusë, të cilët po minojnë përpjekjet e qeverisë qendrore për t’i nxjerrë rebelët e armatosur jashtë ndërtesave në 10 qytete lindore pa shkaktuar gjakderdhje.

Trupat qeveritare kanë drejtuar autoblindat e tyre me flamuj ukrainas drejt qendrës së qytetit të Kramatorskit mëngjesin e së mërkurës, pasi siguruan kontrollin e një aerodromi nga rebelët ditën e martë, duke detyruar presidentin rus Vladimir Putin të paralajmëronte për rrezikun e një lufte civile.

Disa prej mjeteve të njëjta ushtarake gjëmuan më tej në Slaviansk, rreth 15 km larg, me në krye flamuj rusë të separatistëve dhe persona të armatosur të lodhur nga dyluftimet. Ata ndaluan në Bashkinë e qytetit, e cila tashmë është nën kontrollin e plotë të separatistëve.

Ndërsa ecnin në autokolonë, disa njerëz u kthyen mbrapsht dhe thërrisnin: “Punë e paqme djema!” dhe “Russia, Russia!”. Një ushtar që drejtonte njërin nga 6 autoblindat, që tashmë kanë rënë nën duart e rebelëve, tha për Reuters se ishte anëtar i divizionit të 25-të të parashutistëve të Ukrainës, nga Dnipropetrovski.

“Të gjithë ushtarët dhe oficerët janë këtu. Ne jemi të gjithë djem, të cilët nuk do të qëllojmë ndaj popullit tonë”, tha ai, duke shtuar se të tijtë nuk kishin ngrënë bukë prej 4 ditësh, deri kur rezidentët lokalë u kishin dhënë ushqim.

Një zëdhënës i separatistëve dhe një dëshmitar në Kramatorsk thanë se ushtarët ukrainas u kishin dorëzuar mjetet e tyre rebelëve, pas bisedimeve.

Ndërkaq, një avion luftarak ukrainas zhvilloi për disa minuta ushtrime në ajër, mbi sheshin kryesor të qytetit, në një shfaqje të forcës së forcave të Kievit. Një zyrtar i qeverisë tha se ministri ukrainas i Mbrojtjes ishte duke iu drejtuar Kramatorskit, në përpjekje për të qartësuar situatën.

Rusia, që ka refuzuar të njohë qeverinë pro-perëndimore të Ukrainës, që prej rrëzimit të presidentit pro-rus Viktor Yanukovych nga protestat masive të Shkurtit, synon të dramatizojë destabilitetin në fqinjin e tij, përpara bisedimeve të Gjenevës.

Putin foli me Kancelaren gjermane Angela Merkel në telefon, gjatë orëve të vona të së martës, duke i thënë se Kievi kishte “ndërmarrë një kurs anti-kushtetues” duke përdorur ushtrinë kundër rebelëve. “Përshkallëzimi i mëtejshëm i këtij konflikti e vendos vendin në prag të një lufte civile”, është cituar të ketë thënë ai nga një deklaratë e Kremlinit.

Kryeministri ukrainas, Arseny Yatsenyuk, reagoi duke akuzuar Moskën se “po eksporton terrorizmin në Ukrainë”. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, duke folur nga Vietnami përpara se të niset për në Gjenevë, tha se Kievi duhet të dëgjojë atë që ai e quajti “zërin e popullit ukrainas dhe të shmangë përdorimin e forcës”.

Shtetet e Bashkuara dhe BE kanë akuzuar Moskën si orkestruese të operacioneve separatiste në lindje të Ukrainës, siç bënë edhe në provincën ukrainase në Detin e Zi, Krime, përpara se ta aneksonin atë muajin e kaluar.

Shërbimet sekrete të Ukrainës, SBU, thanë përmes një deklarate se inteligjenca e ushtrisë ruse po drejtonte separatistët në veprimet e tyre të fundit në lindje.

Ministri i Jashtëm rus kundërshtoi deklaratën e ministrit të Jashtëm francez, Laurent Fabius, i cili kishte thënë se “Moska fshihej pas rebelimit dhe objekti i saj është parandalimi ose anulimi i zgjedhjeve presidenciale të planifikuara për më 25 Maj”.

“Nëse takimi ndërmjet 4 palëve me Rusinë e Ukrainën nuk do të prodhojë rezultat, atëherë duhet të lëvizim në fazën e 3-të të sanksioneve, që nënkupton sanksione ekonomike. Nuk ka rrugë tjetër”, tha Fabius.

Një zëdhënës i presidentit Barack Obama tha se qeveria e Ukrainës është e detyruar të përgjigjej ndaj “provokimeve” në lindje, por Uashingtoni deklaroi se nuk po konsideron dërgimin e armëve në Kiev.

Nga Brukseli, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, gjeneral Anders Fogh Rasmussen premtoi “më shumë avionë nga ajri dhe më shumë anije nga deti, ashtu sikurse dhe më shumë gatishmëri nga toka” për vendet aleate të Aleancës në Europën Lindore.

Top Channel