Komisioni për punë të brendshme dhe siguri në Kosovë kaloi projektligjin për ndalimin e pjesëmarrjes së kosovarëve në konflikte të armatosura jashtë territorit të Kosovës.

Ka qene ikja e shumë qytetarëve në Siri ajo që detyroi ligjvënësit kosovarë të ndërmarrin nismën për një projektligj të tillë. Për kryetarin e komisionit, Ahmet Isufi, ky projektligj i duhet Kosovës.

“Konsideroj se një projektligj i tillë i duhet Kosovës për shkak se nuk kemi ne arsye të jemi pjesë e atyre angazhimeve dhe që bota në njëfarë mënyre të drejtojë gishtin nga Kosova. Nuk do ta lejojmë këtë sepse për neve është e pakuptimtë të angazhohemi për interesa manipuluese të organizatave terroriste, të cilat janë shpallur të tilla edhe nga organizatat ndërkombëtare, ose shtetet e qeveritë e ndryshme, të cilat kanë ndihmuar edhe Kosovën”, deklaroi Isufi.

Por lëvizja Vetëvendosje vazhdon ta kundërshtojë si anti-shqiptar këtë projektligj. “Ky ligj nuk e përshkruan saktësisht qëllimin me të cilin do të përdorej në raste të tjera, në rrethana të tjera në vendet shqiptare”, deklaroi deputeti Rexhep Selimi.

Në komision është shqyrtuar dhe kanë kaluar propozim-amendamentet edhe në projektligjin për Armët. Komisioni ka kaluar për shqyrtim në seancë të Parlamentit edhe raportin vjetor të Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale për vitin 2013.

Top Channel