Agjentët e doganës në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës kanë ndaluar të mërkurën një korrier droge, në posedim të një sasie lënde narkotike.

Lajmin e ka bërë të ditur Zyra e Doganës në ANP, sipas të cilës korrieri mbërriti në kryeqytetin kosovar me një avion që ishte nisur nga Turqia.

Agjentët e doganës dyshuan tek ky person pasi ishte me pasaportë kolumbiane dhe menjëherë nisën kontrollin me imtësi të valixheve të tij.

Në një komunikatë për shtyp nënvizohet se në çantën e kompjuterit personal dhe në disa sende personale të personit u gjetën 7 paketime të dyshimta, të cilat rezultuan më pas se përmbanin lëndë narkotike të tipit kokainë.

Në komunikatë saktësohet më tej se sasia e saktë e lëndës narkotike ishte 2.6 kilogramë, ndërkohë që korrieri kolumbian i është dorëzuar agjentëve të Policisë së Kosovës, që e kanë arrestuar.

Top Channel