Kosova ka përjetuar të mërkurën ndërprerje të gjata të furnizimit me energji elektrike për shkak të disa problemeve teknike në rrjetin kombëtar.

Kompania që menaxhon rrjetin elektrik, KEDS, deklaroi se një prej njësive kishte dalë nga sistemi i prodhimit të energjisë si pasojë e një defekti.

Për rrjedhojë, furnizimi me elektricitet u reduktua ndjeshëm gjatë paradites, por kompania bëri me dije se mungesën e plotësoi duke blerë energji në tregun rajonal, ndonëse jo mjaftueshëm.

“Në tregun rajonal nuk ka energji të mjaftueshme për shkak të rritjes së kërkesave si pasojë e përkeqësimit të papritur të motit, i cili ka shkaktuar dëme të konsiderueshme edhe në Kosovë”, njoftoi KEDS.

Gjithësesi, kompania siguroi se operatorët e saj kanë dalë në terren për t’i riparuar ato dhe saktësoi se njësia e dëmtuar pritet të rikthehet në funksionim rreth mesnatës.

“KEDS u kërkon ndjesë konsumatorëve për këtë situatë të rënduar dhe i siguron se po bën maksimumin që të ofrojë shërbime sa më cilësore”, tha më tej kompania në deklaratën për shtyp.

Top Channel