Deputetët e minoriteteve në Kosovë po vazhdojnë të kërkojnë në çdo forum institucional vendet e rezervuara edhe për një mandat.

Përfaqësues të deputetëve serbë kanë paraqitur një amendament të posaçëm për ta futur në ligjin e ri për zgjedhjet që të mundësonte garantimin e  vendeve  të rezervuara, por nuk mori votat e nevojshme nga deputetët shqiptarë pasi u konsiderua anti-kushtetues.

“Ka kaluar koha e vendeve të rezervuara. Kjo që po kërkoni është anti-kushtetuese. Ju nëse doni të kërkoni vende të rezervuara duhet të kërkoni ndryshime kushtetuese. Këtë mund ta bëni”, deklaroi Arsim Bajrami nga PDK.

Pas dështimit në realizimin e kërkesës për vendet e rezervuara, deputetët e minoritetit serb votuan kundër ligjit të ri për zgjedhjet, ndërsa paralajmëruan mundësinë edhe të bojkotimit të zgjedhjeve të ardhshme.

“Ky ligj nuk i përfaqëson interesat e komunitetit serb prandaj edhe votuam kundër. Në ditët në vijim do të mblidhen të gjithë përfaqësuesit e partive serbe në Kosovë dhe do të vendosim për hapat e mëtejshëm rreth kërkesave tona”, deklaroi Milivoje Stojanoviç, deputet i SLS.

Në shenjë revolte për mos realizimin e qëllimit për vendet e rezervuara, deputetët e pakicave bojkotuan punën e komisionit të ligjieve, ku u trajtuan amandamentet e Kushtetutës për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës.

Top Channel