Beteja për fondet e BE-së?

16/04/2014 00:00

Një ligj i ri që siguron edhe depozitat e shoqërive të kursim kreditit ka çuar në përplasje mes këtyre shoqërive dhe Agjencisë së Depozitave. Konflikti lidhet me shumën që sigurohet në rast falimenti, e cila për bankat është 2.5 milionë lekë ndërsa për shoqëritë kreditit vetëm 1 milion.

“Ulja e nivelit të mbulimit në draftin e ri të ligjit ka krijuar perceptimin tek anëtarësia se ka një dallim mes banorit të zonës rurale dhe asaj urbane”, deklaroi Zana Konini, kryetare e SHKK.

“Nëse ne do parashikonim që mbulimi i sigurimit për SHKK-të do ishte 2.5 milionë, kjo do çonte në mbulimin e 98% të depozituesve në SHKK dhe 70 për qind të depozitave në sistem në total. Kjo është e pamundur”, sqaroi nga ana tjetër përfaqësuesja e AD.

Shoqëritë e kursim kreditit grumbullojnë depozitat e fermerëve dhe i shpërndajnë si kredi për bujqësinë. Por a është Agjencia e Depozitave, e cila varet direkt nga Banka e Shqipërisë, duke i diskriminuar ato?

“Kur sistemi bankar mbrohet me 2 milionë e gjysmë dhe një tjetër subjekt më pak, prirja intuitive do të jetë mbi 2.5 milionë”, deklaroi ministri i Financave, Shkëlqim Cani.

Ndërkohë që Erjon Braçe bëri publik edhe një tjetër fakt, sipas tij, të dyshimtë. “Kur ligji në fuqi për sigurimin e depozitave ka vendosur një afat për përfshirjen e shoqërive të kursim kreditit në skemën e sigurimieve, ku e gjen agjencia fuqinë të shtyjë me 6 muaj të tjerë përfshirjen e këtyre shoqërive në skemë”, shtroi pyetjen Braçe.

Top Channel zotëron vendimin, përmes të cilit agjencia shtyn hyrjen në fuqi të ligjit duke lënë të pasiguruar depozitat e fermerëve. Sipas agjencisë, në këtë dokument thuhet se pavarësisht detyrimit ligjor, shoqeritë e kursim kreditit nuk i kanë përmbushur kushtet për t’u siguruar pranë Agjencisë së Sigurimit të Depozitave duke mos paraqitur dokumentacionin dhe duke tejkaluar edhe afatet ligjore.

Por ky argumentim nuk i ka bindur deputetët si të opozitës dhe të mazhorancës. “Edhe atë 17 për qind të tregut që ka siguruar ky union me sakrifica dhe mund, si duket u dashka të hiqet”, protestoi deputeti i Partisë Socialiste, Arben Cuko.

Por çfarë qëndron pas kësaj beteje? Burime konfidenciale nga shoqëritë e kursim kreditit thonë se beteja lidhet me atë se ku do të kanalizohen fondet që jep Bashkimi Europian për sektorin bujqësor. Një luftë që duket se ka përfshirë jo vetëm subjektet private por edhe institucionet publike që rregullojnë tregun financiar.

Top Channel