Pakistan, talebanët fund armëpushimit

16/04/2014 00:00

Talebanët pakistanezë kanë njoftuar se nuk do ta zgjasin armëpushimin që nisën në mars, duke i dhënë kështu fund marrëveshjes së arritur me qeverinë.

Një zëdhënës i grupit pakistanez TTP tha se lëvizja vjen si pasojë e injorimit të kërkesave të tyre nga qeveria, edhe pse ata vetë mbeten të angazhuar për bisedime. Nga ana e qeverisë nuk ka patur ende një përgjigje.

Bisedimet e paqes me TTP-në ishin një nga pikat kryesore të fushatës elektorale të kryeministrit Nawaz Sharif në zgjedhjet e vitit të kaluar.

Dy palët kishin rënë dakord për një armëpushim në kuadër të përpjekjeve të tyre për paqe. Më herët TTP u shpreh i gatshëm që armëpushimin 1-mujor të nisur më 1 mars ta zgjaste deri më 10 prill. Po ashtu qeveria kishte ndërprerë sulmet ajrore ndaj militantëve.

Sidoqoftë, të mërkurën talebanët pakistanezë bënë me dije në një deklaratë se këshilli qëndror i tyre kishte rënë dakord unanimisht që të mos e zgjasë më tej armëpushimin.

“Qeveria ka qëndruar e heshtur ndaj kërkesave tona fillestare. Megjithatë, procesi i bisedimeve do të vazhdojë me sinqeritet dhe seriozitet të plotë”, thuhet në deklaratë.

Ministri i Brendshëm pakistanez, Chaudhry Nisar Ali Khan deklaroi pak ditë më parë se bisedimet ishin gati të hynin në një fazë gjithpërfshirëse.

Qeveria nisi negociatat me talebanët më herët gjatë vitit, në përpjekje për t’i dhënë fund betejës së dhunshme të tyre ndaj shtetit, që ka marrë mijëra jetë.

Top Channel