Familja Zeqiri nga lagjja Radishan e Shkupit kërkon ndihmën e kryeministrit shqiptar Edi Rama për t’u shpërngulur në Shqipëri. Anëtari i kësaj familje, Faik Zeqiri po kërkon një vend më të qetë për të jetuar me familjen, pasi sipas tij, mbrëmjen e së dielës shtëpia e tij ka qenë për të disatën herë pre i huliganëve maqedonas.

I bindur se politikanët shqiptarë në Shkup nuk mund t’i garantojë siguri ai ka vendosur të largohen nga Maqedonia.

“I bëj apel drejtpërdrejtë Edi Ramës sepse këtu nuk kam kujt t’i drejtohem. Nëse ka mundësi të na gjejë strehim, ne të gjithë vëllezërit kemi vendosur të shpërngulemi prej këtu, t’i lëmë shtëpitë tona sepse jeta nuk shkon kështu. Fëmijët tanë as në dyqan nuk mund të dalin sepse kanë trauma. Nëse kryeministri Edi Rama na gjen strehim nesër nisemi për Shqipëri. Të jetojmë së paku një ditë të qetë”, thotë Faik Zeqiri.

Sulmin e fundit e kanë filmuar kamerat private të vendosura në shtëpinë e familjes Zeqiri. Anëtarët e kësaj familje, thonë se të dielën pas mbylljes së votimeve kanë përjetuar tmerr të vërtetë, pasi janë sulmuar në shtëpinë e tyre nga një grup huliganësh. Gjatë sulmit kanë pësuar dy djem të kësaj familje dhe nëna e tyre 80-vjeçare që u godit qëllimisht me makinë.

“Morën guximin që të na hyjnë në shtëpi. Fillimisht e dërguan një person që të na thotë, largohuni nga këtu se do ju djegim. Nuk ndihemi të sigurtë. Për çdo natë, ndonjëri nga vëllezërit bën roje deri në mëngjes”, shprehet Faiku.    

Policia e ka konfirmuar rastin dhe ka njoftuar se ka ngritur 5 padi kundërvajtëse dhe 1 padi penale, për vozitësin që kishte sulmuar turmën me veturë.
“Për ne ky rast është i përfunduar. Ne kemi ngritur 6 padi, pesë padi janë kundërvajtje dhe 1 është penale. Kompetencat e mëtejshme janë tek prokurori i cili gjatë procedurës së mëtejshme mund të vërtetojë edhe motive të tjera”, deklaroi Ministrja e Brendshme e Maqedonisë, Gordana Jankullovska, Ministre e Punëve të Brendshme në Maqedoni.

Familja Zeqiri edhe më herët ka në shënjestër të huliganëve të cilët kanë kërcënuar me jetë anëtarët e kësaj familje nëse nuk shpërngulen nga lagja Radishan e Shkupit e banuar me shumicë maqedonase.

Top Channel