Eksodi i Rexhep Qoses 15 vjet më parë

17/04/2014 00:00

Akademiku i njohur, Rexhep Qosja ishte një nga shqiptarët e Kosovës që ishte pjesë e eksodit. 

Ai tregon për “Revistën Televizive te Mbrëmjes” në Top Channel se si për herë të parë atij iu desh që të hiqte mjekrën, me qëllim që ushtarët serbë të mos e njihnin gjatë kalimit të kufirit.

Për ditë të tëra qëndroi në pritje të telefonatës së familjarëve të tij, fatin e të cilëve nuk e dinte.  

Në Tiranë shkroi ditarin e gjithë ngjarjeve që rrodhën deri në çlirimin e Kosovës, të cilin e ka botuar në dy vëllime.

“E them që në fillim se shpërngulja e dhunshme e shqiptarëve të Kosovës në fillim të vitit 1999, për shkak të terrorit dhe dhunës që ushtronte shteti serb është një prej dramave më të mëdha historike që ka përjetuar populli shqiptarë. Kjo është një dramë aq e madhe sa që meriton që të shkruhen vepra letrare, të bëhen drama të bëhen filma që mjerisht deri sot nuk janë bërë, në masën dhe vlerën që duhet të kenë. Ne nuk jemi më vetëm siç ishim dikur në luftërat ballkanike, me ne janë fuqitë e mëdha, me ne janë vendet e perëndimit. Serbia në mënyrë të pashmangshme do të humb luftën pushtuese ndaj shqiptarëve. Unë në atë kohë, kur jam zhvendosur nga Prishtina, më ka ngelë e gjithë familja në atje sepse kam qenë strehuar në një vend afër shtëpisë dhe më pas do të zhvendosem në Tiranë dhe do të shkruaj librin “Tronditja e shekullit”, në formën e një ditari, aty janë të dhënat që unë dëgjoja prej radiove dhe televizioneve. Ky libër në të vërtetë është historia e fushatës së bombardimeve, historia e asaj që ka ndodhur në Kosovë gjatë gjithë atyre muajve”, ka thënë akademiku i njohur, Rexhep Qosja.

Top Channel