Rikthehet lufta kriminalizuese ndaj shtetit

17/04/2014 00:00

Aleksandër Cipa – Kultura e kriminalizimit të shtetit ka shpërthyer këto ditë si një “fytyrë me puçrra”.

Është në kulmin prushërues të saj, falë ngacmuesve dhe oratorëve të papërgjegjshëm dhe të papajisur kurrë me ndërgjegjen dhe dijeninë se shteti (në kuptimin më të ngushtë institucionet), ruhen e respektohen, mbrohen dhe përfaqësohen për të qenë modeli ose tabuja e seriozitetit. Mirëpo kjo është vetëm një ide shkollareske dhe që vetëm me Shqipërinë dhe një pjesë të kastës së politikëbërësve aktualë nuk ka të bëjë.

Akuzat më të shpeshta dhe më të bujshme në debatin politik parlamentar kanë vënë në epiqendër dy prej ministrive të perceptuara si më hijerëndat dhe shtyllat kryesore të shtetit institucional: Ministria e Brendshme dhe ajo e Mbrojtjes. Akuzat vijnë nga opozita dhe nga pozita. Shumica qeverisëse në rastin e inventarit dhe procesit auditues që po i bën administrimit dhe funksionit ministror të ish-ministrit Imami, po këmbëngul që Prokuroria e Përgjithshme të nisë procese hetimore dhe të zbardhë paditë e ministres pasardhëse Kodheli. Ndërsa, nga ana tjetër, ish-ministri i paditur Imami, ka kundërakuzuar me një fakt edhe më bombastik. Akuza e tij nga foltorja e Parlamentit është pasuar me reagime dhe deklamime dokumentesh shkresore, të ardhura prej shërbimeve inteligjente të vendit. Zoti Imami akuzon për implikim të Forcave të Armatosura në trafik droge. Nga ana tjetër, ish-ministri i Brendshëm, deputeti Flamur Noka, për këtë çështje i drejton në mënyrë jo fort të arsyeshme e ligjore pyetjen pasardhësit të vet Saimir Tahiri: A është kryer transport droge nga njëri prej aeroporteve ushtarake të vendit?! (I duhen kërkuar ish-ministrit të Brendshëm arsyet pse këtë pyetje për një aeroport ushtarak ia bën ministrit aktual të Brendshëm?!)

Akuzat e ish-ministrit të Mbrojtjes, Imami, dhe paditë ndaj tij nga pasardhësja Kodheli, përbëjnë në vetvete një ndër goditjet më serioze dhe më të rënda për prestigjin dhe integritetin moral të Forcave të Armatosura Shqiptare, jo vetëm brenda hapësirës sonë shtetërore, por më së shumti në opinionin publik, atë rajonal dhe sidomos brenda aleancës së NATO-s. Sipas raportimeve në faqet zyrtare të disa prej organizatave dhe asocacioneve në kuadër të bashkëpunimit dhe rrjetit të anëtarësisë së NATO-s, si dhe në mediat sociale apo rrjetet e tjera të raportimit në anglisht, kjo stuhi akuzash dhe kundërakuzash politike të ministres Kodheli ndaj paraardhësit të saj Imami, si dhe ato në seancat e mbledhjeve të Komisionit Parlamentar të Mbrojtjes dhe Sigurisë, kanë tërhequr vëmendjen maksimale. Të tilla akuza janë atipike për korrektesën dhe koracën e sjelljes serioze me institucionet e Mbrojtjes dhe Sigurisë në çdo vend të BE-së dhe aq më tepër, të Aleancës Euroatlantike.

Por skandali, sipas dukjes dhe shfaqjes së protagonistëve të shpalljes, nuk mjaftoka me kaq! Disponimi qenka shumë më i madh dhe këmbëngulja e tyre na lë të kuptojmë se “petë të tjera do t’i hiqen lakrorit”. Ku do të shpjerë kjo dhe deri ku mund të përdhoset etika institucionale, ligjore, konspirative dhe sidomos ajo parlamentare e akuzatorëve dhe sulmuesve në fushën e Rendit dhe të Mbrojtjes?

Po kështu, një ndër lajmet më të shumëshpërndara në rrjetet sociale të 48 orëve të fundit, ka qenë ai i shoqëruar me foton e një veshi të cilësuar si të kafshuar prej një polici i një shtetasi, banor në Bathore. Një lajm që të tromaks për subjektin kanibalesk që bashkon si protagonistë qytetarin e pirë me policin e Komisariatit Nr.6 të kryeqytetit. Në këtë lajm të shpërndarë me vrull nëpër gjithë rrjetet sociale, mungon qoftë edhe një pyetje apo nëse ekziston një pohim i mjekut ligjor? Në të kundërt, një akt i tillë diskrediton jo vetëm atë polic, por cenon rëndë edhe imazhin e policisë.

Askush nuk kujtohet dhe, sipas gjasave, nuk ka për t’u kujtuar për kësi pasojash që sjellin në imazh dhe dinjitetin publik akuza dhe incidente të tilla. Në këtë pikë nuk kemi të bëjmë me tradhtim të ndërgjegjes apo kulturës së sjelljes institucionale, por me një provë të përsëritur të besnikërisë të shfaqjes së të keqes kriminalizuese të institucioneve. Aktore dhe protagoniste akuzash është po kasta e politikanëve.

Duhet ndarë qëllimi i opozitës në këtë sulm dhe goditje mësymëse të pandalshme, ndaj këtyre dy ministrave, nga pakujdesia dypalëshe, për ta karakterizuar dhe vlerësuar atë thjesht si një protagonizëm fatkeqësisht klasik, të tipit “Berisha”. Mungesa e kulturës institucionale për dinjitetin dhe integritetin moral të institucioneve, fatkeqësisht është transferuar nga politikani indoktrinues Berisha dhe ka molepsur të vetët dhe kundërshtarët e tij, rishtarë në qeverisje. Një goditje e tillë, sido që të analizohet, nuk mbetet vetëm te profili apo nominaliteti politik i ministres Kodheli apo ministrit Tahiri.

Kriminalizimi jo vetëm verbal i strukturave të Mbrojtjes përmes akuzës për përfshirje në trafikun e drogës, ka një qëllim që tejkalon shtatin e opozitës apo përfitimin politik të saj. Për këtë arsye, hetimi dhe verifikimi i këtyre akuzave nuk është më një çështje e Prokurorit të Përgjithshëm, por edhe e Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe e Parlamentit. Në këtë lojë të ndyrë, nëse vërtetohet se është e tillë, janë implikuar jo vetëm verbalisht, disa institucione. Verifikimi dhe zbardhja e tyre është një kazus që lidhet pashmangshmërisht me dinjitetin institucional të Shqipërisë shtetërore. Çështjen nuk e zbardh dot Prokurori i Përgjithshëm e as Presidenti i anuar i Republikës. Në ditë të ardhme, përfaqësues institucionalë të NATO-s mund t’i kërkojnë qeverisë shqiptare të paraqesë një raport zyrtar për akuza dhe denoncimet në fjalë. Një vetakuzim i tillë e bën edhe më të jehonshme mungesën e seriozitetit tonë, pse jo edhe e shton mundësinë e një trajtimi më të izoluar, të përfaqësimit të vendit tonë në anëtarësinë me të drejta (ndoshta jo të plota) në NATO. Kjo do të thotë se kasta e gjuhës së pafre të akuzimit nuk do t’ia dijë për imazhin dhe dinjitetin partnerial të vendit dhe shtetit tonë, në arealin e përfshirjeve dhe angazhimeve euroatlantike. Këtë kulturë përbaltëse dhe kriminalizuese tashmë nuk e kemi vetëm virtyt brenda vetes dhe për veten, por i kemi dhënë gjithë vlerën e një tipari shques, si vetëpërbaltës në arenën dhe opinionin jashtë Shqipërie.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel