Bushati pret Sequi-n me rastin e lënies së detyrës

17/04/2014 00:00

Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati priti në Ministrinë e Jashtme ditën e enjte ambasadorin e Bashkimit Europian, Ettore Sequi, me rastin e lënies së detyrës së tij në Shqipëri.

“Jam i lumtur që ambasadorit Sequi i është besuar detyrë e rëndësishme në Ministrinë e Jashtme italiane, por më vjen keq që misioni i tij në vendin tonë po përfundon. Ai vjen nga një vend mik si Italia dhe origjina luan rol të rëndësishëm në detyra të tilla edhe pse ai ka përfaqësuar me profesionalizëm Europën e Bashkuar”, tha Bushati.

“I uroj suksese në detyrën e re, kam pasur fatin dhe nderin të bashkëpunoj me të, të mos bie dakord për disa çështje dhe të bie dakord për çështrje të tjera. Kam marrë nga eksperienca e tij pasi Sequi ka viziatuar shumë vende të botës duke përfaqësuar Italinë dhe BE-në”, shtoi Bushati.

Ndërsa Ettore Sequi theksoi se puna në vendin tonë ka qenë një nder i madh për të.

“Ndihem i trishtuar, por edhe i përkushtuar më shumë se kurrë kundrejt Shqipërisë, një vend ku kam kaluar disa vite të jetës sime. Puna në Shqipëri për BE-në ka qenë një nder i madh për mua”, tha Sequi.

Ai shtoi se “Shqipëria po ecën mjaft mirë në rrugëtimin e saj në BE”: “Gjatë 3 viteve që unë kam punuar në Shqipëri ka pasur rezultate të mira. Rruga drejt statusit është e hapur. Shqipëria është e angazhuar për të përmbushur detyrimet e saj.”

“Në pozicionin tim të ri do të kem kënaqësinë të vazhdoj të punoj për dhe me Shqipërinë. Do të kem sërish mundësinë të punoj me mikun tim të mirë, ministrin Bushati”, mbylli fjalën e tij Ettore Sequi.

Top Channel