Akuzat e opozitës për përdorimin e infrastrukturës së ushtrise për trafikun e drogës pushtuan edhe seancën e sotme në parlament. Ish-kryeministri Berisha tha se ka fakte nga Shërbimi Informativ i Ushtrisë për akuzat e ngritura, ndërsa Kryeministri Rama kërkoi që të mos bëhet teatër politik me këtë çështje, por provat t’i dorëzohen prokurorisë.

Sali Berisha: Doni të mohoni drogën në aeroport? Jo, mor zotëri, nuk e mohoni dot.

Ilir Meta: Zoti Berisha, çojini provat në prokurori, Parlamenti nuk është
prokurori”. 

Këto deklarata dhe kundërdeklarata kanë donominuar seancën parlamentare, duke pasuar një javë ku opozita është fokusuar në akuzën e përfshirjes së Forcave të Armatosura për transport droge, akuzë që ish-kryeministri Berisha në Kuvend tregoi, sipas tij, kush ishte burimi.

“SHIU dhe shërbime të tjera ushtarake, sipas burimeve të pakundërshtueshme të FA, që urrejnë mashtrimin dhe krimin që po i kaplon, kanë informuar me kohë se kjo po ndodh. Dhe përveç kësaj ka prova. Aeroplani shkoi deri në jug, por në ju gjejmë juve se ju transportoni me të”, tha Berisha duke iu drejtuar mazhorancës.

“Vullneti ynë si qeveri për të nxitur hetimin për këtë akuzë është i plotë. Ne jemi të gatshëm të jemi pjesë e hetimit, ashtu sikundër nuk ka opozitë në botë që të jetë kaq qesharake, që ta ndërtojë procesin e komunikimit me qeverinë në këtë formë”, u përgjigj kryeministri Rama.

Ministrja e Mbrotjes, Mimi Kodheli ka folur për herë të parë publikisht për këtë çështje, ku ka garantuar. “Nuk ka asnjë provë e asnjë fakt. Zero. Akuzat kanë lidhje me nevojat terse të parardhësit tim dhe parardhësit të kryeministrit, për të mbuluar shkeljet shokuese në dosjet e shpërdorimit të detyrës, dosje të cilat janë çuar në prokurori. Uroj që prokuroria të mos flejë mbi to”, tha Kodheli.

“Më 19 mars, në 7 të mëngjesit, një avion i bardhë që vjen e ulet shpesh herë pasi ka përshkuar aksin Divjakë-Tepelenë. Sepse është raportuar disa herë për fluturimin e tyre njësoj si në Kolumbi për transport droge. Po, kam informacion për këtë”, tha ish-ministri Arben Imami.

“Zoti Imami, ju keni një shkresë të SHISH, të cilin sapo e cituat. Por ajo shkresë nuk vlen as për fakte as për provë. Ajo bën fjalë për të dhëna që vetë SHISH i ka në proces verifikimi për t’i vërtetuar. Ajo që po bëni ju këtu ka një kosto të madhe”, u përgjigj deputeti i PS, Erjon Braçe.

Por deri në këto deklarata, në seancë dominuan edhe tonet e humorit, pasi kryeministri Rama dhe kryeparlamentari Meta deklaruan se opozita është ngatërruar pasi zonat të cilat ajo i cilëson si të përfshira në trafik janë pjesë e aksionit të spërkatjes për mushkonjat. 

“Javën që vjen fillon dezinfektimi për herë të parë pas 20 vjetësh dhe kështu do të mbarojë historia e përdorimit të avionëve ushtarakë”, deklaroi kryeministri Rama.  

Top Channel