Forumi ekonomik i Kroacisë

17/04/2014 00:00

Nga forumi Brown në Kroaci, ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri kërkoi mbështetjen e Bashkimit Europian për degëzimin e gazsjellësit Trans Adriatik me atë Jon-Adriatik, çka sipas ministrit do të shtonte shanset dhe mundësitë e vendit në tregun rajonal dhe më gjerë.

“Eshtë një projekt i rëndësishëm jo vetëm për rajonin por edhe për Bashkimin Europian në të ardhmen. Jam i kënaqur të dëgjoj që edhe Shtetet e Bashkuara, përmes përfaqësueses së tyre të Departamentit të Shtetit japin bekimin për këtë projekt, duke theksuar rëndësinë e tij dhe përse Europa duhet të investojë në infrastrukturën e sigurimit të furnizimit me gaz. S’ka pse të presim një krizë tjetër politike për të kuptuar sa i rëndësishëm është për Europën diversifikimi i gazit”, deklaroi Gjiknuri.

Ministri tha se Shqipëria po kërkon financimin për të kryer masterplanin e gazit, çka do të ndikojë drejtpërdrejtë në tërheqjen e investitorëve seriozë në gazifikimin e vendit.

Duke folur nga paneli për zhvillim strategjik të sektorit të energjisë në Evropën Juglindore, zoti Gjiknuri njoftoi se për herë të parë do të mund të proçedohet me hapjen e një gare transparente për dhënien për shfrytëzim të blloqeve të reja në zonat naftëmbajtëse. Ndërkaq, ministri ftoi investitorët që të shfaqin interes për dy projektet e hidrocentraleve të Skavicës dhe të Vjosës.

Top Channel