IAEA: Irani përgjysmon uraniumin e rrezikshëm

17/04/2014 00:00

Irani ka neutralizuar gjysmën e stokut të uraniumit të pasuruar mbi normat e lejuara, si pjesë e marrëveshjes së dakordësuar në fillim të këtij viti, bëri të ditur mbikqyrësi botëror bërthamor.

Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) ka kontrolluar ndjekjen dhe besnikërinë e Iranit kundrejt marrëveshjes, gjë e cila është arritur së bashku me 6 fuqitë më të mëdha të botës.

Fuqitë botërore kërkojnë nga Irani të reduktojë pasurimin e uraniumit të saj, gjë që i frikësoheshin se mund të përdorej për të prodhuar bombën bërthamore.

Irani ka bërë të ditur se e gjithë puna bërthamore e tij ka synime paqësore. E megjithatë, shteti islamik pranoi marrëveshjen në këmbim të lehtësimit të disa sanksioneve. Irani ka pakësuar gjysmën e stokut të uraniumit të pasuruar në gradë të lartë, bëri të ditur IAEA, përmes një raporti konfidencial.

Kjo gjë shihet si një shenjë pozitive nga Perëndimi, pasi në këtë mënyrë Iranit do t’i rritej më shumë koha që do t’i duhej për të prodhuar bombën bërthamore. Diplomatët konfirmuan konkluzionin e raportit për BBC, pasi i plotë ai pritet të publikohet javën e ardhshme.

Në raport thuhej gjithashtu se progresi në komisionimin e një centrali konvertimi bërthamor, pjesë e një marrëveshje të përkohshme, është shtyrë, bën të ditur Reuters. IAEA, e cila ka disa inspektorë në Iran, lëshon njoftime mujore në lidhje me angazhimin e Iranit për t’iu përmbajtur marrëveshjes së përkohshme me 6 fuqitë botërore, e cila u nënshkrua në Janar dhe përfundon në Korrik.

Top Channel