Ndihma ekonomike, ndërhyn Avokati i Popullit

17/04/2014 00:00

Avokati i Popullit nëpërmjet një deklarate për mediat u bëri thirrje të enjten Prefektit të Tiranës, Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe Kryetarit të Njësisë Bashkiake që të marrin masa të menjëhershme për zhbllokimin e ndihmës ekonomike për 567 banorë të njësisë bashkiake nr.4 në kryeqytet të cilët që prej muajit janar nuk e kanë marrë atë.

Rreth një javë më parë banorë të kësaj njësie bashkiake u ngritën në protesta për të kërkuar ndihmën e tyre të prapambetur që prej muajit janar të këtij viti. Arsyeja që ndihma ekonomike për këta banorë nuk jepet që prej fillimvitit është mosmbledhja e Këshillit të kësaj njësie bashkiake i cila duhet të miratojë listën e personave që përfitojnë ndihmën e cila më pas i dërgohet prefekturës.

Në deklaratën e Avokatit të Popullit, theksohet se në raste të tilla, mosmarreveshjet midis palëve nuk kanë rëndësi në momentin kur cënohet e drejta dhe ndihma ndaj qytetarëve në nevojë apo grupeve vulnerabël, gjë që sipas Institucionit të Avokatit të Popullit është e papranueshme.

Kjo lloj ndihme, sipas AP është një mbrojtje sociale që bëhet nga shteti si një detyrim për qytetarët apo shtetasit në nevojë. Avokati i Popullit i bën thirrje edhe institucioneve të administratës qendrore që situata të tilla të zgjidhen sa më shpejt dhe të mos përsëriten në të ardhmen.   

Top Channel