Fotografi që përjetësoi Shqipërinë komuniste

17/04/2014 00:00

“Bota i krijon imazhet, fotografi i interpreton”.  Artisti i njohur italian, Ferdinando Scianna duket se e ka interpetuar më së miri botën në 40 vitet e karrierës së tij.

Fotografi i Magnumit, një nga agjencitë më prestigjoze të fotografisë në botë konsiderohet si një nga artistët më me ndikim të kohës sonë. Ai lindi në Siçili në vitin 1946 dhe që herët iu dedikua fotografisë.

Autor i shumë librave fotografikë, por jo vetëm, Scianna ka pasur një karrierë të dyzuar mes fotografit dhe gazetarit. Ka qënë fotograf, por edhe gazetar i italianes “L’Europeo”, i francezëve “Le Monde Diplomatique” dhe “La Quinzane Litteraire” dhe i shumë revistave dhe të përditshmeve të tjera.

Përvec reportazhit dhe librave, fotografi i njohur ka punuar dhe në industrinë e modës duke bashkëpunuar me stilistët Domenico Dolce dhe Stefano Gabbana.

Në gjithë fondin e fotografive të tij s’kishte si të mungonin dhe fotot në Shqipëri. Për herë të parë fotografi i njohur mbërriti në Shqipëri gjatë periudhës së regjimit komunist në vitin 1984, përvojë që sot ka lënë një arkiv tepër të çmuar të dokumentimit të Shqipërisë komuniste, të parë nga një sy kritik dhe i stërvitur mirë i një fotografi profesionist.

Më pas për llogari të agjencisë Magnum, Scianna fiksoi në foto edhe eksodin e parë të shqiptarëve në vitin 1991.

Këtë herë vjen në kuadër të “Ditëve të fotografisë italiane në Tiranë”,  një projekt i organizuar nga një kompani shqiptare e fotografisë në bashkëpunim me Insitutin Italian të Kulturës.

Top Channel