Ahmetaj, në krye të vizitës në Rumani

17/04/2014 00:00

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj kryesoi vizitën e delegacionit shqiptar në Bukuresht. Ndër takimet e zhvilluara gjatë dy ditëve të qëndrimit në Rumani ishte edhe takimi me kryeministrin Victor Ponta.

Tematikat e diskutuara ishin të fokusuara kryesisht në modelin e ri ekonomik të vendit, axhendën, marrëveshjet e arritura me FMN-në dhe Bankën Botërore dhe në veçanti, investimet e huaja.

“Shqipëria dhe Rumania kanë hyrë në një fazë të re të bashkëpunimit ekonomik”, u shpreh kryeministri Rumun. Ndërsa ministri Ahmetaj vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm mes dy palëve duke theksuar se, “ky është momenti më i mirë për të kaluar në projekte konkrete”.

Delegacioni shqiptar zhvilloi gjithashtu takime me ministrin e Ekonomisë, ministrin për Bizneset e Vogla dhe të Mesme dhe atë të Energjisë.

Me ata u diskutuan çështje dhe projekte investimesh në fushën e energjisë, eksporteve, modernizimit të sistemit energjitik të hidrocentraleve, si dhe sistemet e prodhimit të energjisë përmes ujit dhe erës.

Top Channel