F1, Kinë, Hamilton në krye të provave të lira

18/04/2014 00:00

Në përfundim të ditës së provave të lira për Çmimin e Madh të Kinës, teksa turin e parë e kishte fituar Alonso, “Mercedes” rikthehet në krye.

Në Shangai më i shpejti ka qenë Lewis Hamilton, me 1’38’’315. Ndërkohë që mes tij dhe shokut të tij të skuadrës Rosberg, i treti me 4 të dhjetat më shumë, futet Alonso me “Ferrari”, me vetëm 0’’141.

Ricciardo dhe Vettel mbajnë vendet 4 dhe 5 me “Red Bull”, ndërkohë që Raikkonen, i cili ka pasur disa probleme me elektronikën, përfundoi provat e lira në vendin e 7, pas Massa-s me “Williams”.

Gjithçka siç ishte parashikuar deri më tani. 3 orë prova të lira kanë konfirmuar edhe një herë se “Mercedes” është makina për t’u mundur këtë sezon.

Për momentin, duket se aventura e përgjegjësit të ri të menaxhimit sportiv në Maranello, Marco Mattiacci, ka nisur mirë, por ende nuk mund të thuhet shumë mirë, pasi për këtë duhet të presim të dielën e garës, e mbi të gjitha sepse Kimi Raikkonen nuk ka pasur një të premte pozitive.

Top Channel