Basha: Do ketë destabilizim politik

18/04/2014 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulëzim Basha paralajmëron destabilizim politik në vend për shkak të refuzimit sipas tij që mazhoranca po i bën konsensusit me opozitën për refomën territoriale. Basha tha se kjo reformë duhet t’i shërbejë qytetarëve dhe jo hartave elektorale të partive politike.

“Ne urojmë që konsensusi i cili u premtua dhe pastaj u kthye në një të paqenë, të kthehet dhe të jetë vlerë me të cilën i përvishemi një reforme, siç është reforma territoriale-administrative. Nuk e kuptojmë nxitimin e mazhorancës drejt veprimeve të njëanshme për rivizatimin e kufijve, kur reforma duhet shumë më e thellë dhe përfundimi i reformës duhet t’i shërbejë qytetarëve, jo partive politike dhe as hartave elektorale”, deklaroi Basha.

Basha nuk ngurroi t’u bëjë thirrje dy bashkëkryetarëve të mazhorancës, siç i cilësoi ai Edi Ramën dhe Ilir Metën, për të gjetur konsensus mes palëve për realizimin e kësaj reforme siç e kërkon dhe legjislacioni.

“Ndaj edhe një herë i bëj thirrje kryeministrit Rama, kryetarit të Kuvendit Meta, si dy bashkëkryetar të mazhorancës të bëjnë të mundur konsensusin. Asnjë paragjykim nuk ka vend, opozita do ta përdorë konsensusin në mirëbesim për të arritur një produkt në shërbim të qytetarëve. Nga ana tjetër refuzimi i konsensusit do të ketë pasoja dramatike, do të zhvlerësojë çdo hap të njëanshëm dhe do të fusë vendin në një spirale destabiliteti politik sepse refuzimi i konsensusit për këtë reformë është në fakt refuzim i bashkëjetesës demokratike”, theksoi Basha.

Një ditë më parë, mazhoranca depozitoi në Kuvend kërkesën për ndryshimin e komisionit të reformës administrative, pasi opozita refuzoi të marrë pjesë në këtë komision ku kishte bashkëkryetarin dhe përbërje të njëjtë anëtarësh në funksion të konsensusit, duke e bërë komisionin të pamundur të funksionojë.

Top Channel