F1, Hamilton ka “probleme”, Vettel nuk i beson

18/04/2014 00:00

Pavarësisht kohës më të mirë të regjistruar pas dy sesioneve të provave të lira në Shanghai, Lewis Hamilton nuk duket i kënaqur.

“Nuk jam i kënaqur, pasi kemi probleme me balancimin e makinës. Duhet ende të përmirësohemi”, është shprehur piloti anglez i “Mercedes”.

Një alarm që ngre edhe shoku i tij i skuadrës, Nico Rosberg. “Ferrari duket se na është afruar, gjë që e prisnim, por ne duhet të shohim ende përpara”, kanë qenë fjalët e gjermanit, i cili përfundoi provat i treti, pas Alonso-s.

“Problemi këtu në Kinë janë gomat përpara. Në provat për “pole-position” duket se do të ketë reshje shiu, ndaj dhe do të jetë sërish ndryshe. Ashtu siç parashikohet edhe për të dielën”, ka shtuar Rosberg.

Ai që nuk beson te vështirësitë e “Mercedes”, është kampioni i botës në fuqi, Sebastian Vettel. “Nuk ka qenë një nisje e fundjavës siç do të kishin dashur të gjithë, pasi jo gjithçka ka shkuar mirë në aspektin e fuqisë. Por, Mercedes ka dhënë gjithçka, janë ende favoritët për këtë garë. Gjatë një periudhe të provave u qëndrova pas dhe dukej sikur mund të bënin çdo gjë që donin”, ka zbuluar piloti i “Red Bull.

Top Channel