Të bllokuar nga dëbora

18/04/2014 00:00

Reshjet e dëborës që vijojnë prej disa ditësh në veri dhe jug-lindje të vendit kanë krijuar probleme me bllokim rrugësh. Policia dhe emergjencat civile realizuan dje dy operacione kërkim-shpëtimi të personave të bllokuar nga reshjet e dendura të dëborës.

Mbrëmjen e djeshme është marrë njoftimi për 11 turistë francezë të cilët udhëtonin me makina dhe ishin bllokuar në Qafë Thore, në aksin Theth-Bogë.

Trashësia e dëborës pengonte lëvizjen e mjeteve, ndërsa me ndihmen e borëpastrueseve nisi puna për hapjen e kalimit nga të dyja krahët. Pas shumë orësh, turistët janë arritur dhe zhvendosur nga zona e bllokimit.

Ndërkohë, operacioni i dytë është realizuar në Tropojë, ku disa persona së bashku me qindra kokë bagëti kishin mbetur të bllokuar nga dëbora me trashësi 1.5 metra në Bjeshkët e Lumit të Gashit.

Me anë të helikopterit u dërguan 40 pako me ushqime, veshmbathje, çadra e batanije, si dhe ushqim për 170 bagëti. Të 13 personat që ndodheshin në zonën e bllokuar nga dëbora kishin dy ditë të mbetur pa ushqime.

Ndërkohë, policia njofton se sot rruga për në komunat Shalë, Shosh dhe Pult në Shkodër është me një kalim, lëvizja e vështirë për shkak të dëborës deri në 40 centimetra.

Ndërkohë, është e bllokuar rruga Selcë-Vermosh-Bogë dhe Theth, ku trashësia e dëborës është 50 centimetra. Në Pukë nuk ka asnjë zonë të bllokuar, por lëvizja në disa komuna është e vështirë sepse dëbora është deri në 90 centimetra.

Në këtë zonë CEZ njofton se janë dëmtuar 550 shtylla të tensionit të mesëm dhe të ulët për shkak të dëborës dhe për këtë arsye disa komuna janë pa energji.

Në Dibër e bllokuar është vetëm rruga Lurë-Arras, ndërsa probleme ka në rrugën që lidh komunën Lurë me bashkinë Rrëshen dhe rruga Trebisht-Ostren.

Në Rrugën e Kombit ka 50 centimetra dëborë. Ajo është hapur nga 6 borëpastruese. Rrugët rurale janë të kalueshme, ndërsa të bllokuara janë komunat Arrën, Kalis, Zapod dhe Shishtavec. Në qarkun e Korçës, të gjitha rrugët janë hapur edhe pse bie dëborë.
 

Top Channel