Balla: Deklaratën e dështoi Berisha

18/04/2014 00:00

Taulant Balla, si bashkëkryetar i Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri-Bashkimi Europian, nëpërmjet një deklarate nga kryesia e Kuvendit akuzoi opozitën për mos miratimin e deklaratës së përbashkët në fund të takimit të shtatë Shqipëri-Parlament Europian.

“Arsyeja e parë pse nuk u arrit që deklarata e takimit të Strasburgut të miratohej atje, ishte se amendamentet e deputetëve të PD, anëtarë të këtij komiteti, nuk u shkruan prej tyre, por priteshin të vinin nga Tirana. Pra, amendamentet e opozitës erdhën nga Tirana me vonesë, pra nuk mbërritën brenda orarit zyrtar të takimit. Problemi i dytë ishte fakti se amendamentet nuk ishin amendamente, por një deklaratë politike e Partisë Demokratike, krejtësisht tjetër nga ajo që kishte përgatitur Parlamenti Europian. Dua të theksoj se drafti i paraqitur ishte një draft tërësisht i shkruar në Bruksel, nën drejtimin e zotit Kukan, në dijeninë e Komisionit Europian”, deklaroi Balla.

Top-Channel disponon një kopje të draftit i cili po negociohej mes palëve. Në draft thuhet se: “Shkarkimi i Zana Xhukës në tetor nga parlamenti ndodhi përmes një procesi të kundërshtuar si joligjor nga opozita. Por anëtarët demokratë të delagacionit kërkonin që në deklaratë të theksohej se shkarkimi i Zana Xhukës ishte i jashtëligjshëm nga Parlamenti”.

Deputeti Balla deklaroi se kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, mirëpriti kërkesën e përfaqësuesve të PD në Konferencën e Kryetarëve, për të mbledhur në një takim 14 deputetët anëtarë të Komitetit. Megjithëse u kërkua nga vetë PD, takimi u bojkotua nga deputetët e saj.

“Në propozimin e fundit që unë i kam dërguar zotit Halimi, duhet ta them, u pranuan të gjitha propozimet e ardhura nga PD, qoftë ato që erdhën me email nga Tirana në Strasburg, qoftë edhe të tjera që u shtuan gjatë procesit të komunikimit me email. vetë deputetë të Partisë Demokratike ishin dakord me tekstin e kësaj deklarate, madje shprehën dhe habi për gatishmërinë tonë për të pranuar të gjitha propozimet e PD. Nuk dua t’i ha në besë deputetët e PD, po besoj se zoti Fatmir Mediu, si kryetar i një prej partive opozitare mund ta konfirmojë këtë. Zoti Mediu u angazhua të bindë Lulzim Bashën që ta pranojë draftin e dakordësuar”, nënvizoi Balla.

Për të gjitha këto zhvillime Taulant Balla dha këto konstatime: “Nga ky proces kuptova që kryetari i PD, Lulzim Basha është një lule që nuk do të lulëzojë kurrë. Si mund të dalë burri pa pikë turpi dhe të thotë që ne e dhamë konsensusin, kur edhe pasi ne pranuam gjithçka, u gjet edhe nje arsyetim i palogjikshëm nga ana e tij për t’i thënë jo deklaratës. Sa kohë kryetari real i PD të jetë Sali Berisha, me Partinë Demokratike nuk mund të biesh dakord për një fjali të vetme, jo më për dy faqe deklaratë. Nuk e kanë tek teksti, e ka kryeplaku tek mendësia e tij”, tha Balla.

Taulant Balla nuk ngurroi të thumbojë Bashën edhe për një tjetër kërkesë të opozitës, atë të dëmshpërbilimit për pronat e shembura nga INUK të qytetareve të BE. “Ne të gjithë e dimë kush është qytetar i BE-së me pasaportë holandeze”, tha ai.

Bumçi: Rama-Meta, s’ka interes për integrimin

Por Partia Demokratike ka një tjetër qëndrim. Sipas opozitës në momentet e fundit, shumica zhbëri variantet e miratuara duke e rikthyer negocimin në fazën fillestare.

“Që në pikënisje dyshja Rama-Meta nuk ishte e interesuar të ndërtonte nje marrëdhënie normale me opozitën duke fshehur projekt-deklaratën, duke zvarritur kohën e negocimit në kufijtë maksimale dhe së fundmi duke bërë prapa kthehu nga pikat për të cilat kishte dhënë konsensusin më herët. Dyshja Rama-Meta faktoi se i mungon interesi dhe vullneti për avancimin e integrimit europian të vendit”, deklaroi deputeti i PD-së, Aldo Bumçi.

Top Channel