FESTA JONË DHE E TYRE

18/04/2014 00:00

Monika Stafa – Kur i shihnim dikur me gishtat e ngritur lart në dy stacionet televizive të Beogradit, ndër përpjekjet e dëshpëruara për të shijuar ndopak muzikë të huaj, ata, “vëllezërit” tanë të një gjaku, teksa dilnin nga minierat e errëta të Trepçës dhe në demonstratat e të rinjve rrugëve të Prishtinës, padyshim menduam se një krisje e betonit kish ndodhur mes dy sistemeve të çimentuara nga Lufta e Ftohtë.

Në mos Radio Titograd, ajo e Vatikanit kishte filluar ta konfirmonte këtë prej disa vitesh… Kosova e kish ndier para nesh vullnetin për të shkelmuar sistemin e vjetruar komunist dhe për herë të parë e dëgjuam këtë publikisht në kronikat televizive të kohës në TV Beograd 1 dhe 2, edhe pse të montuara keq me thirrjet “Liri, Barazi”. Zhvillimet kanë qenë shumë të vrullshme për këtë vend, sepse edhe qëllimet ishin më të mëdha. Ndërkombëtarët, kështu u quajtën pas vitit historik ’99, Fuqitë e Mëdha të Perëndimit, u bënë shumë më të vëmendshme ndaj tij, sesa ndaj nesh.

Kosova po jetonte një realitet krejt tjetër, nga i yni. Diaspora po lëvizte vrullshëm në ndihmë të “vëllezërve” të të njëjtit gjak. E themi pa droje se kishte arritur kulminacioni i aktiviteteve me karakter kombëtar. Në Kosovë rinia, studentët, inteligjenca ishte në përkrahje të të drejtave kombëtare e për pasojë, terreni pulsonte ndjeshëm. Të vonuar në fatin tonë prej vetë nesh, apo për shkak të kapitullimit de jure të Luftës së Ftohtë mes dy botëve, punët rrodhën krejt ndryshe. Pas vitit historik ’99, janë trumbetuar shumë data historike, për Kosovën në shumë kryeqytete të Europës. Ngjarja e madhe, erdhi me shumë zor në Kosovë. Ajo mbeti pezull deri në një kohë të pacaktuar, derisa u përmbyll me finalen e madhe në shkurt të 2008-s. “Kosova e ka sot subjektivitetin e plotë ndërkombëtar”, tha një autoritet i lartë i Prishtinës në ditën e 4-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Në fakt, në ditën e 4-vjetorit të rishpalljes së pavarësisë, pasi presidenti paraardhës i Shteteve të Bashkuara, George Bush, sepse, po t’u referohemi datave të historisë, pavarësia e Kosovës është shpallur disa herë, duke filluar nga viti 1991, pastaj më 1999 e më tej, në mënyrë deklarative, më 2008. Në të njëjtën ditë që autoriteti i lartë i Kosovës bënte këtë pohim, që nënkupton anëtarësinë e barabartë në OKB, përkundrazi, sekretarja amerikane e shtetit, H. Clinton, dhe homologia e saj europiane, baronesha C. Ashton, në dy podiume paralele thanë saktësisht: Kosova dhe Serbia, së bashku, kanë një të ardhme europiane dhe euroatlantike të hapur. Por kjo mbetej një çështje e hapur, sepse me këto propozime çdo sundim i huaj dhe çdo status i propozuar për Kosovën, ishte më i mirë sigurisht se sundimi serb. Si zgjedhje nga e keqja, jo keq në fakt. Figurativisht përnjëmendje Kosova mundi të quhet vend i pavarur “me unazë në gisht”, që do të thotë se pavarësia e Kosovës, është përfolur, por në fakt, vetë Kosova mbetej një e fejuar e Beogradit.

Më vjen ndërmend e shkuara e afërt e Kosovës dhe e Shqipërisë. Në fillim, malli i rinjohjes, që zgjati fare pak. Atëherë kryetari i shtetit pati hartuar ligjin për dhënien e dyshtetësisë gjithë shqiptarëve në ish-Jugosllavi dhe dikush shkroi: Faleminderit Millosheviç! Jo aq për dashurinë individuale ndaj një personaliteti jo pak historik në lëmin nacional ekstremist që ky njeri mbartte sesa për fuqinë bashkuese që përçoi ndër vllaznit mes dy kufijve aq shpejt dhe që po aq shpejt dhe u fik kjo dashuri. Ligji vdiq pa lindur dhe sot askush nuk e sjell më ndërmend. Çudi që as institucionet ndërkombëtare nuk e kanë përmendur kurrë. Ishte një ligj “për ta shembur murin nga njëra anë”. Më shumë se mund të bënte Shqipëria në atë kohë. Pastaj një psikozë anti-Kosovë pushtoi Shqipërinë. Dhe më pas një tjetër psikozë, kësaj radhe anti-Shqipëri në Kosovë, shpërtheu andej. “Trimave të strukur” iu duk më e lehtë të shpëtonin Shqipërinë nga Greqia dhe ortodoksia, se Kosovën nga Serbia.

Dhe pastaj erdhi koha e rivëllazërimit, viti 1999, që solli në Shqipëri mbi 600 mijë shqiptarë të Kosovës, të cilët panë me sytë e vet se nuk kishte një Shqipëri gege e një Shqipëri toske, por “një komb, një gjuhë, një vend”. 15 vjet më pas qeveritë e dy shteteve të kombit shqiptar, ajo e Kosovës dhe e Shqipërisë u takuan sërish në Kukës, për të përkujtuar 15-vjetorin e këtij eksodi me të drejtë i quajtur biblik, ku qindra mijëra kosovarë iu drejtuan bashkëkombësve të tyre për t’i shpëtuar persekutimit çnjerëzor serb të Millosheviçit. Por rrëfimi i Pandeli Majkos, Kryeministrit të luftës së vitit historik 1999, në një intervistë televizive më ngacmoi ndjeshëm grindin e një realiteti tjetër, krejt të vërtetë nga ai që besojmë se është. “Ne, pohoi ai, kemi në kokë ende kufirin e Jugosllavisë. Elitat funksionojnë ende të ndara, pasi kanë bërë jetë të ndryshme universitare në një kohë që janë në konflikt me një gjeneratë të re që nuk duan të pyesin për mënyrën e sjelljes së tyre”.

Me të vërtetë të jetë kështu? Apo është thjesht një cektësi rastësore? Sepse të kthesh të jesh kaq i ndryshëm dhe me kufij në mes do të thotë të kërkosh te të tutë, “tjetrin”, një kërkesë traumatike, nga më të dhimbshmet. Duhet të ndodhë një proces ekzorcimi, një proces dëbimi nga vetvetja. Duhet të nxjerrim së brendshmi e të përjashtojmë gjysmën tonë. Dhe pastaj ta bëjmë si “tjetrin”. Në mendje më vijnë fatet e familjeve të ndara gjatë periudhës totalitariste për shkak të luftës së klasave. Ato u ndanë sipas regjimit politik.

Tani po mbushen dy dekada dhe ato prapë e shohin vetveten së brendshmi të ndarë në pjesë. Tani po na del se ka dy kultura shqiptare. Njëra e këtushme dhe tjetra e atjeshme. Njëra e Kosovës dhe tjetra e Shqipërisë. A mund të flitet sinqerisht me popullin? Kjo është pyetja që bëhet sot. Ata që e çliruan Kosovën prej ushtrive dhe paramilitarëve serbë, a nuk e kanë më sot guximin për të thënë se subjektiviteti ynë ndërkombëtar nuk shprehet as në praninë e NATO-s, as në kontrollin e UNMIK-ut, as në misionin e EULEX-it, as në entuziazmin e Tiranës, as në premtimin për të pasur një ambasadë shqiptare në mes të Prishtinës, as në heqjen e emrit “republikë”, por në promovimin e aftësive shtetformuese dhe vetëqeverisëse. Në këtë rast pyetja është: a e kanë seriozisht liderët shqiptarë në Kosovë e në Shqipëri kalendarin europian? Kjo pyetje është e pashmangshme, sepse, ndërsa autoritetet e Prishtinës e të Tiranës gëzojnë dëborën e papritur që vonoi takimin e tyre në Kukësin e “mardhun” një tjetër zë autoritar nga Serbia, pas plot 15 vjetësh arriti të shqiptonte pa frikën e Baroneshës Ashton,  “Shtëpinë e Verdhë”. Dhe Vulin e përmendi atë si për të poshtëruar imazhin e shqiptarëve në qarqet e fshehta të Brukselit, paçka se “E Verdha Shtëpi” nuk gjendet në Kukës, por në Burrel.

Sot ne përpiqemi të bëjmë të pamundurën për të shkruar histori dhe secila palë mundohet të ngrejë zërin për të fajësuar palën tjetër edhe pse mirënjohjet shënohen në protokolle dhe fletë arkivi. Shqiptarët shumë shpesh e kanë mashtruar vetveten dhe sërish vazhdojnë ta mashtrojnë. Mashtrimi merr një fytyrë edhe më demagogjike kur në Prishtinë autoritetet vazhdojnë të ushqejnë euforinë e mbjellë në Tiranë, duke deklaruar se tani e tutje Kosova nuk do të paraqitet në nisma rajonale me emrin “Republika e Kosovës”, por si shtet sovran e pa tra e doganë mes vetes dhe Shqipërisë londineze. Para gjithë këtyre problemeve me gjasë të pazgjidhshme për nga stili ballkanik, Europa e re do të rrudhë sytë dhe do të mprehë lapsin për ta shënuar vendosmërisht edhe njëherë në kalendarin e saj, rrugën e gjatë të integrimit të të dyja vendeve, me të njëjtin komb.

Top Channel