SHBA çlirojnë fondet e ngrira për Iranin

18/04/2014 00:00

Shtetet e Bashkuara priten të çlirojnë fondet e ngrira iraniane, duke thënë se Teherani ka respektuar angazhimet e premtuara në marrëveshjen e përkohshme, mbi programin e tij bërthamor.

SHBA njoftoi se 450 milionë dollarë do të jenë të disponueshme, pas raportit të mbikqyrësit botëror të bërthamoreve, IAEA.

Të enjten, agjencia bëri të ditur se Irani ka neutralizuar gjysmën e stokut të uraniumit të pasuruar, që ishte shumë pranë gjendjes së gatshme për prodhimin e bombës bërthamore.

Marrëveshja 6-mujore e dakordësuar mes Iranit dhe 6 fuqive të mëdha botërore, u arrit për zbutjen e programit bërthamor të shtetit islamik, ndërkohë që në këmbim do të lehtësoheshin disa nga sanksionet e vendosura mbi të.

Fuqitë botërore janë të shqetësuara se Irani synonte kapacitetet për të ndërtuar armë bërthamore, një akuzë që Irani e kishte mohuar kategorikisht, duke shtuar se pasurimi i uraniumit bëhej vetëm për qëllime paqësore.

Bisedimet për ta kthyer marrëveshjen e përkohshme, që hyri në fuqi në Janar, në një marrëveshje të përhershme kanë nisur, teksa afron periudha e skadimit të të parës, më 20 Korrik.

Irani ka dobësuar gjysmën e uraniumit të pasuruar në gradacione të larta, njoftoi një ditë më parë Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), në një raport që konsiderohet ende konfidencial, e që do të publikohet i plotë javën e ardhshme.

Top Channel