Ajo që mund të veçosh më shumë se çdo gjë tjetër, në rrugët e gjithë
qyteteve të mëdha të Greqisë, në prag të Pashkës, festës së madhe të
Krishtërimit, është blerja e qirinjve, që në gjuhën e vendasve quhen
edhe “Lambadhes”.

Këta qirinj, që përdoren për të marrë “dritën e shenjtë” dhe për ta çuar atë në shtëpi, kanë bërë një rrugë të gjatë dhe nuk janë më ata qirinj të thjeshtë e të hollë prej dylli, të disa dekadave më parë.

Tashmë këta qirinj dekorativë janë kthyer në një industri të madhe në Greqi. Në ditët e sotme, të ashtuquajturat “lambadhes” janë një çështje e komplikuar, mund të shoqërohen në ambalazhin e tyre me karamele, makina lodra, apo avionë, kafshë pellushi, kukulla, stoli, lule dhe çokollata, dhe i gjen pothuajse në çdo dyqan të vendit.

“Dikur prodhonim vetëm lambadhes të bëra me dorë dhe vinin përsipër ose një fjongo rozë, për vajzën, ose blu, për djalin. As lodra, as kukulla përsipër, asgjë. Kjo ishte Lambadha klasike e Pashkëve. Për të rriturit ishte vetëm një qiri i thjeshtë, i bardhë, që e merrnin me vete në kishë. Tani ne bëjmë lambadhes për të dashuruarit, për të porsamartuarit, për njerëzit e moshës së mesme, për të gjithë”, tha Manolis Skiadhas, prodhues qirinjsh, për “Reuters”.

Bërja e qirinjve ka qenë traditë e familjes Skiadhas për katër breza, prej vitit 1898, në një punishte artizanale në qendër të Athinës, që siguronte qirinj për të gjithë Greqinë, por edhe eksportonte. Prodhimi shkonte në gati 200 kg qirinj në ditë, ndërsa sot, pasardhësi i fundit i familjes e ka çuar fabrikën jashtë Athinës dhe prodhon 300,000 lambadhes çdo Pashkë, teksa ky prodhim fillon gjithnjë gjashtë muaj më parë.

Pavarësisht ndryshimit në formë, qiriu i Pashkës, lambadha, ka të njëjtin mision: të bartë “dritën e shenjtë”, e cila vjen me avion nga varri i Jezu Krishtit në Jeruzalem dhe shpërndahet më pas në të gjitha vendet ordodokse të botës.

Besimtarët ndezin këta qirinj pranë kishave në momentin e Ringjalljes dhe e çojnë flakën e shenjtë në shtëpitë e tyre për t’i bekuar, duke shënuar një kryq me tymin e qirinjve në pragun e portës.

Top Channel