“Dështimi do dëmtojë Shqipërinë”

18/04/2014 00:00

Nga Strasburgu, ku eurodeputetët u mblodhën për herë të fundit, ka shprehur keqardhjen për këtë dështim edhe kryetari i delegacionit për Ballkanin në Parlamentin Europian, Eduard Kukan.

Zoti Kukan, duke folur për Top Channel, tha se ky dështim mund të dëmtojë Shqipërinë, pasi Komisioni do t’i raportojë Këshillit në Qershor, se palët nuk firmosën deklaratë të përbashkët.

“Në fakt, gjatë takimit tonë të fundit në Komitetin e Stabilizim-Asociimit mes Parlamentit Europian dhe Shqipërisë nuk u ra dakord për një deklaratë të përbashkët. Qëndrova për rreth 4 orë me delegacionin dhe më pas më duhej të largohesha, por ata u pajtuan dhe unë vlerësoj pozitivisht faktin që nuk donin ta mbyllnin pa marrëveshje, pasi thanë se do të vazhdonin bisedimet politike, dhe në të vërtetë kështu duhej të ndodhte. Ata vazhduan punën në Shqipëri disa herë dhe, teksa po vjen fundi i mandatit tonë në Parlament, ata e kuptojnë se kjo është koha e përshtatshme që duhet ta konsolidojnë këtë marrëveshje. Pra, këtë javë bisedimet filluan tepër intensive, por përfundimisht nuk u arrit marrëveshje, gjë për të cilën më vjen shumë keq. Secila palë tashmë do të mundohet t’ia hedhë fajin palës tjetër. Nuk dua të them se cila palë është më tepër përgjegjëse, vetëm dua të nënvizoj se mënyra europiane është për negociata dhe për arritjen e kompromiseve. Këtë mundohemi t’u shpjegojmë partnerëve tanë në Shqipëri, që ju lutemi flisni me njëri-tjetrin, grinduni, bëjeni sa më dramatike, por ju duhet të arrini në marrëveshje, sepse kjo është mënyra europiane për zgjidhjen e problemeve. Fakti që nuk ka marrëveshje do ta dëmtojë shumë Shqipërinë, sepse në Këshillin e Qershorit do të diskutohet sërish për statusin kandidat. Në Këshillin e fundit u vlerësuan tendencat pozitive që vinin nga vendi, kultura politike e dialogu ekzistonin aty, por Këshilli donte të nënkuptonte që këto qëndrime kishin jetëgjatësi, e nëse do të arrihej deri në rezultate. Kjo ishte mundësia e artë për të treguar se nuk vijonte tendenca afatshkurtër. Për fat të keq, Komisioni do të shkruajë se nuk pati marrëveshje, nuk u arrit kompromis politik, pra nuk e di se ç’rezultat do të sjellë kjo në Këshill. Unë mendoj se, politikisht, ju humbët një shans shumë të mirë për të treguar se situata në Shqipëri ka ndryshuar për mirë”, theksoi Eduard Kukan, kreu i delegacionit për Ballkanin në BE.


Knut Fleckenstein, eurodeputet gjerman, S&D:  Mendoj se Këshilli duhet të japë statusin kandidat ndaj Shqipërisë në qershor, pavarësisht  kësaj pike negative. Kjo përbën vetëm një rast, por ka dhe sinjale të tjera që tregojnë se vendi po ecën në rrugën e duhur.

Kukan: Personalisht do të isha i lumtur nëse në qershor, Këshilli do të jepte statusin kandidat për Shqipërinë, nëse ju arrini të bindni disa vende anëtare dhe ju e dini se cilat janë. Ndaj ka rëndësi intensifikimi i dialogut politik me ta. Do të ndihmonte shumë. Por një gjë dua të shtoj, meqë isha i përqëndruar në këto negociata. Është koha më e volitshme që elita juaj politike t’i japë fund shkatërrimit të njëri-tjetrit. Në vend të kësaj, ata duhet të përqëndrohen se si t’i shërbejnë vendit të tyre. Nuk ka rëndësi të tregohet se kush ka ego më të fortë. Konkurrenca e egoizmit duhet përfshirë në dialog për arritjen e kompromisit. Kjo është këshilla ime.

Knut Fleckenstein: Nuk jam i sigurtë se ç’vendim do të marrë Gjermania, pasi po shqyrton dosjen tani. Unë do të bëj ç’është e mundur në Berlin për t’i bindur se ky hap duhet ndërmarrë. Nëse nuk jepet këtë radhë, duhet përcaktuar shumë qartë se çfarë presim nga qeveria dhe nga politikanët në  Shqipëri, në mënyrë që të mos jetë gjithnjë në vija kaq të përgjithshme se duhet të bëhen gjërat më mirë. Duhet përcaktuar qartësisht kjo, sepse në të kundërt, shqipëtarët nuk do të na besojnë më neve.
Marije Cornelissen, eurodeputete hollandeze, të gjelbrit: Shqipëria mund të ishte në të njëjtin nivel me Serbinë dhe Malin e Zi, por nuk është sepse politikanët nuk punojnë së bashku mjaftueshëm. Krahasuar me fillimin e mandatit tim në 2009 e në vitet që pasuan gjërat kanë ndryshuar. Nuk ka gjeste simbolike e përplasje kaq të mëdha. Po dëgjoj se në parlament po merren vendime aktualisht e po zhvillohen debate. Kjo është shenjë e mirë e shpresoj me të vërtetë që nëse politikanët shqipëtarë ndërgjegjësohen, atëherë Shqipëria mund të kalojë në korsinë e shpejtë drejt anëtarësimit në BE.”

Nikola Vuljanic, raportues për Shqipêrinë: Mendoj se vendi është në rrugën e duhur, në fund të së cilës gjendet anëtarësimi në BE. Pengesa e parë që duhet kapërcyer është konflikti konstant mes partive në pushtet dhe opozitës. Është diçka normale, por nuk duhet bërë mbi axhendën e Bashkimit Europian dhe as në Bruksel për më tepër. Politikanët shqipëtarë duhet të mësojnê të vinë këtu me një mesazh të përbashkët që përcjellë idenë se do të bëjnë gjithçka të nevojshme për të sjellë Shqipërinë më pranë integrimit europian. Jam i sigurtë se ka plot njerëz inteligjent në Shqipëri që e kuptojnë këtë mesazh dhe se kjo do të ndodhë së shpejti. Kështu që shpresoj që gjërat të shkojnë mirë në qershor dhe t’ju shoh sërish në korrik, nëse zgjedhjet në vendin tim shkojnë siç shpresoj unë.

Përgatiti Arta Tozaj

Top Channel