Në përgjigjen që shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton i ka kthyer presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga, nuk jepet një kohë e përcaktuar për përfundimin e misionit të Gjykatës Speciale për krimet e luftës.

Top Channel ka siguruar një kopje të faksimile-it të përgjigjes që Ashton i ka dhënë presidentes Jahjaga edhe përsa i përket vazhdimit të mandatit të misionit EULEX.

Në letër, shefja e diplomacisë europiane sqaron tërthorazi vetëm me një fjali çështjen e shumëpërfolur të Gjykatës Speciale për krimet e supozuara të UÇK-së, duke iu referuar në fakt punës së ekipit hetues që po merret me pretendimet e senatorit zviceran Dik Marty, rreth krimeve të luftës në Kosovë.

Sipas Ashton, përfaqësuesi special i BE-së dhe EULEX-Kosovo do të vazhdojnë të asistojnë institucionet dhe në veçanti autoritetet gjyqësore dhe agjencitë e zbatimit të ligjit në Kosovë.

Veç kesaj, puna e task forcës speciale hetuese të EULEX-it dhe çdo proçedurë gjyqësore që rrjedh prej tij do të vazhdojë për aq kohë derisa Këshilli i Bashkimit Europian ta njoftojë Kosovën se hetimet dhe këto proçedura gjyqsore janë përmbyllur.

Pas këtij letërkëmbimi, të gjitha përgatitjet janë gati, ndërsa pritet vetëm ratifikimi i ligjit nga ana e Kuvendit, që do të formalizojë hapjen e Gjykatës e cila do të merret me krimet e supozuara të UÇK-së.

Një ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi deklaroi se në momentin kur Kuvendi do të jetë gati, partitë politike do të votojnë themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte.

Top Channel