ILDKP, jo më kompetencë e Presidentit

18/04/2014 00:00

Me propozimin e disa deputetëve socialistë, mazhoranca i hoqi Presidentit kompetencën për t’i propozuar Kuvendit kreun e Inspektoriatit të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive të zyrtarëve të lartë dhe ia dha këtë kompetencë Kuvendit të Shqipërisë.

Bashkë me këtë ndryshim, që u kundërshtua nga opozita si sulm politik ndaj Presidentit, kaluan edhe disa ndryshime të tjera që synojnë forcimin e rolit të ILDKP-së për kontrollin e pasurisë së zyrtarëve.

Por megjithëse Partia Demokratike i përkrahu këto ndryshime, të dyja palët janë larg me qendrime përsa i përket efikasitetit të luftës kundër korrupsionit, përsa kohë nuk ka asnjë zyrtar të lartë të dënuar për korrupsion apo fshehje të pasurisë.

Pandeli Majko, deputet i PS-së: Si ta forcojmë ILDKP ta kthejmë në një antivirus për këtë fenomen sistematik. Problemi i deklarimit të pasurisë është një nga problemet më të manipuluara në Shqipëri.

Gent Strazimiri, deputet i PD-së: Unë do të thoja që nuk është antivirus sepse nuk po injektojmë gjë në shoqëri në këtë mënyrë. Ne po përpiqemi në një farë mënyre të kemi një dac që të mbajë larg minjtë, ka 11 vjet që daci shkon jashtëzakonisht mirë me minjtë.

Pandeli Majko: Ishim duke shkuar në Mynih. Bashkë me ne udhëtonin edhe gjykatës që kishin prerë biletë për të parë ndeshjen e Bajernit. Më falni miqtë e mi! Të gjithë ne kemi këto rroga që kemi, por a u del ju që të shkoni dhe të bëni gallatë me të ardhurat tuaja?! Të shkoni të shikoni ndeshjen?!

Gent Strazimiri: Gjyqtarët dhe politikanët që kanë nga tre shtëpi, një vilë të madhe në mes të Tiranës, një më të madhe ne bregdet dhe një tjetër në mal, të jeni të bindur që iu del hesapi me pre biletën dhe të shkojnë të shohin ndeshjen në Mynih. Nuk janë vetëm gjyqtarë dhe prokurorë, janë politikanë të lartë, janë politikanë të ekzekutivit kryesisht. Marrin të gjithë certifikatën e virgjërisë tek ILDKP, se deri më tani asnjë nuk ka dalë, i përflasim, i përflasim, kurrë nuk ka prova, kurrë nuk shkon njeri para drejtësisë.

Mazhoranca beson se ndryshimet në ligjin për kontrollin e zyrtarëve do të përmirësojnë punën e këtij insitucioni, ndërsa opozita shfaqi shqetësimin e marrjes së të gjitha pushteteve nga shumica.

Pandeli Majko: Ne kemi krijuar një elitë të korruptuar në zemër të Shqipërisë dhe shtetit tonë ligjor i ka mbetur vetëm ‘L’, prandaj o do e bëjmë os do t’i themi shko për lesh gjithë kësaj historie!

Gent Strazimiri: A kemi bërë gjë deri më tani, përsa kohë e pati Presidenti? Jo. Por sigurisht nëse ja jep Kryeministrit dhe ja jep ekzekutivit dhe mazhorancës të jeni të bindur që nuk ka për të patur asnjë rezultat. Kjo është rruga më e mirë për të institucionalizuar korrupsionin.

Duke e konsideruar një cënim të rëndë të kompetencave të Presidentit heqjen e të drejtës për të propozuar kreun e ILDKP-së, opozita u largua nga Komisioni i Ligjeve, ndërsa mazhoranca miratoi ndryshimet dhe sqaroi se tek vullneti i deputetëve të mazhorancës nuk ka ndikim Kryeministri Rama.

Top Channel