KLSH, padi për 6 ish-zyrtarë vendorë

18/04/2014 00:00

Kontrolli i Lartë i Shtetit dorëzoi në prokurori gjashtë padi ndaj ish-zyrtarëve të pushtetit vendor në rrethin e Pogradecit dhe të Lushnjes.

Paditë janë ngritur ndaj tre ish-drejtuesve të Komunës Hudenisht në rrethin e Pogradecit të cilët akuzohen për shkelje të rregullave të urbanistikës duke dhënë leje në prona shtetërore, madje edhe në zona të cilësuara si turistike.

Ndërsa tre paditë e tjera kanë të bëjnë me tre ish-zyrtarë të Komunës Remas në rrethin e Lushnjes, që akuzohen për shpërdorim detyre duke i shkaktuar një dëm prej 100 mijë eurosh buxhetit të shtetit.

Shkeljet u gjetën pas verifikimeve disa-mujore nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Dosjet i kanë kaluar prokurorisë për hetime të mëtejshme.

Top Channel