11 turistët francezë që ishin izoluar në zonën  turistike të Thethit janë nxjerr në mesditën e së premtes.

Turistët e huaj kishin hyrë në fshatin turistik të Thethit dy ditë më parë dhe gjatë rrugës ata kanë hasur në vështirësi. Ata qëndruan per disa orë të bllokuar, por mundën të hynin  në Theth.

Aventura e tyre u përsërit gjatë kthimit në Shkoder dhe vetëm pas ndërhyrjes së emergjencës civile është bërë e mundur hapja e rrugës për turistët e huaj.

Ndërkohë Drejtori i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi  në një komunikim me mediat është shprehur se policia  duhet të nisë hetimet për Drejtorinë e Rrugëve Rurale dhe Rajonale  për shpërdorim detyre.

“I bëj thirrje autoriteteve përgjegjëse, Drejtorisë së Policisë së Qarkut Shkodër të fillojë procedim penal ndaj atyre autoriteteve përgjegjëse që nuk mirëmbajnë rrugët megjithëse fondet nga qeveria i marrin. Qoftë Drejtoria Rurale, qoftë Drejtoria Rajonale e rrugëve duhet të kishin qenë gjatë gjithë kohës prezentë këtu për ta mbajtur të hapur këtë rrugë”, deklaroi zoti Prençi.

Por për turistët francez kjo ishte një aventurë që kaloi pa  asnjë problem.

“Ne qëndruam për dy ditë në fshat për të pritur që situata të përmirësohet. U nisëm, por më pas u përballëm me këtë situate në këtë zonë. U munduam që të lironim rrugën, por ishte e kotë dhe më pas pritëm”, thotë Mishel, pjesë e grupit të turistëve.

Ndërkohë reshjet e borës që vazhdojnë të bien në Qafën e Thorës japin sinjale se zona  e Thethit rrezikon t’i kthehet sërish izolimit.

Top Channel