Agjencia Kombëtare e Bregdetit ka nisur projektin për ndërtimin e Kullave të Vrojtimit për plazhet shqiptare, një projekt pilot që do të zhvillohet gjatë verës së këtij viti, në shtatë plazhe vendase, për të mundësuar sigurinë e pushuesve.

“Plazhet që ne kemi menduar për t’u zgjedhur si plazhe pilot janë nga veriu në jug, Velipojë, Durrës, Golem, Vlorë, Dhërmi, Orikum dhe Sarandë. Numri i njerëzve që do të punësohen në këto është 35 vetë të cilët do të trajnohen në muajin maj. Janë përzgjedhur nga Akademia e Sporteve. Një pjesë e mirë e të përzgjedhurve janë vajza”, thotë Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Auron Tare.

Për ndërtimin e kullave të vrojtimit, Agjencia Kombëtare e Turizimit ka bashkëpunuar me studentët e Arkitekturës së Shqipërisë dhe Kosovës, të cilët kanë paraqitur 30 projekte, prej të cilave një juri do të zgjedhë shtatë më të mirat.

“Kullat si forma arti, kjo përzgjedhje është bërë sepse ne mendojmë që plazhet mund të identifikohen me një vepër arti”, thotë Tare.

Sipas Tares nëse projekti që do të zbatohet këtë verë do të funksionojë, në vitet e ardhshme do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë.

Top Channel