Çmimi i Kinës, Hamilton në pole-in e katërt

19/04/2014 00:00

Lewis Hamilton kapi pole position-in e katërt në katër provat e para të sezonit të ri të Formula 1, duke realizuar një performancë mahnistëse në provat për Çmimin e Madh të Kinës.

Hamilton ishte pak më shumë se gjysmë sekondi më i shpejtë se “Red Bulli” i Daniel Ricciardo, në pistën e mbushur me ujë nga shiu.

Sebastian Vettel u rendit i treti ndërsa Nico Rosberg zuri vendin e katërt pasi tentoi më kot ta mbyllte sesionin me një marzh shpejtësie prej 1.2 sekondash ndaj shokut të skuadrës.

“Ferrari” i Fernando Alonso zuri vendin e pestë, përpara “Williamsit” të Felipe Massa. Gjithësesi, Hamilton u tregua befasues në këto prova, duke rezultuar më i shpejti në të tre pjesët dhe në secilën kohe me të njëjtin marzh shpejtësie.

“Kënaqësia më e madhe është kur arrin këtë rezultat kur bie shi. Ishte e vështirë të ecje në lagështirë, teksa përpiqesha të ruaja kontrollin dhe të mos bëja gabime”, tha ai.

“Ishte një sesion i vështirë, por makina ishte e shkëlqyer. Ka disa gjëra të cilat mund të përmirësohen, por në tërësi makina na ka vendosur në një pozicion të mirë për garën”, shtoi piloti anglez.

Ndërkohë, Vettel ishte më i shpejti nga skuderia e “Red Bullit” në dy seksionet e para, por Ricciardo e mundi katër herë kampionin e botës kur veproi 0.505 sekonda më shpejt.

Ndërsa Rosberg, i cili duket i sfiduar nga ritmi i Hamilton, doli nga pista në fillim të sesionit final dhe më pas humbi kontrollin pasi e mori shumë gjerë kthesën e xhiros së fundit.

Top Channel