Shqiptarët, në vend të parë për azil

19/04/2014 00:00

Shqipëria kryeson tashmë grupin e azilkërkuesve nga Ballkani në vendet e Bashkimit Europian. Sipas dokumentit të siguruar nga TCH, 1.035 azilkërkuesë shqipëtarë u regjistruan gjatë muajit shkurt në Gjermani, Belgjikë, Suedi, Luksemburg dhe Zvicër, duke kapur nivelin e serbëve që mbanin pozicion udhëheqës deri në Janar 2014.

Por, raporti i 39 i FRONTEX shton dhe rritjen e azilkërkuesve në Britaninë e Madhe, ndërsa vëren kalime ilegale të kufirit shqiptar drejt Hungarisë.

“Britania e Madhe raportoi për 140 aplikime për azil vetëm nga shqiptarët gjatë Shkurtit 2014. Nëse këto të dhëna i shtohen numrit total të 5 vendeve të tjera të Shengenit, shqipëtarët përbëjnë kombësinë kryesore gjatë shkurtit, duke ia kaluar serbëve me gati 100 aplikime. Me shqetësim, raportimet e Hungarisë tregojnë se kalimi i paligjshëm kufitar prej shqiptarëve në kufirin serbo-hungarez është rritur në mënyrë të qëndrueshme prej Nëntorit 2013”, thotë raporti.

Në dy muajt e parë të vitit vlerësohet 431% rritje azilkërkuesish shqiptarë në Shengen. Të paktën 824 vetë kërkuan azil vetëm në Gjermani, duke shënuar 2127% më shumë se gjatë shkurtit 2013.

Ndërkohë që në Suedi u regjistruan 116 shqiptarë, (97%), 26 në Belgjikë (-33%), 54 në Luksembourg (391%) dhe 15 persona aplikuan në Zvicër, çfarë përbën 650% më shumë se muaji paraardhës.

Njësia e analizës së rrezikut në Varshavë tregon se për periudhën e analizuar, 3 Shkurt deri në 2 Mars 2014, pati 3.100 aplikime gjithësej nga 5 vendet e Ballkanit përfituese të regjimit pa viza, duke vlerësuar pozitivisht një rënie prej 17% në tërësi.

Por, ndërsa vëren një ulje për aplikimet nga serbët, boshnjakët e maqedonasit, FRONTEX vëzhgon pothuajse dyfishim të kërkesave të shqiptarëve gjatë shkurtit krahasuar me janarin.

Ndërkohë, shtetet anëtare rritën kthimet drejt vendeve të origjinës me 61%. Në shkurt, 5 vendet më të prekura të Shengen riatdhesuan 1.248 persona në Ballkan.

Rreth 40% e azilkërkuesve shqiptarë u kthyen mbrapsht, 200 prej tyre forcërisht dhe 79 persona vullnetarisht. Zvicra mban rekordin për riatdhesimet, sipas këtij dokumenti, duke kthyer 5 veta për çdo aplikues të ri për mbrojtje ndërkombëtare.

Top Channel