“Duhet politikë e dyerve të hapura”

19/04/2014 00:00

NATO duhet të pranojnë rolin e vet të pazëvendësueshëm, si një katalizator i sigurisë në Evropë dhe të punojë për politikën e “dyerve të hapura” për pranimin e të tjera vendeve aspirante nga Europa jug-lindore.

Mbi këto sugjerime mbështet analizën e tij ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, publikuar në faqen prestigjoze “Project Syndicate”, ku shkruajnë udhëheqës botërorë dhe politikanë të njohur.

Si kreu i diplomacisë së një vendi, që ai thotë se e kupton më shumë se kushdo vlerën e Aleancës së Atlantikut të Veriut për shkak të së kaluarës së tij dhe rolit të NATO-s në Kosovë, në kontekstin e një Ballkani të trazuar, Bushati e nis këtë analizë me rastin e aneksimit të Krimesë nga Rusia, si kujtesë veçanërisht për vendet e Europës Lindore se NATO përbën boshtin kryesor të sigurisë kombëtare dhe evropiane.

Duke e ngushtuar analizën nga rasti i Krimesë tek Ballkani, një rajon i fragmentuar, që vazhdon të përballet me çështje të shtet-ndërtimit, të sundimit të së drejtës dhe pabarazisë, Bushati thotë ky rajon gjithashtu mbetet sfidë për NATO-n.

“Për sa kohë anëtarësimi në BE mbetet ende larg për këto vende, as Evropa dhe as NATO nuk duhet të injorojnë sfidat me të cilat përballen vendet e Ballkanit Perëndimor”, thekson ai. Në vija më të përgjithshme, anëtarët e Aleancës duhet të pranojnë se territori i mbrojtur nga NATO është kthyer në një zonë me konkurrencë sa i përket sigurisë, analizon Bushati.

“E shoqëruar me ndjekjen e axhendave konfliktuale të zgjerimit, na sjell në kushtet ku e drejta ndërkombëtare dhe parimet themelore demokratike mund të shkelen pa u ndëshkuar, sikundër veprimet e Putinit në Ukrainë dëshmuan qartazi. Nuk janë vetëm interesat e sigurisë të Evropës që janë nën kërcënim, por edhe vetë vlerat e saj”, shton ministri i Jashtëm, duke nënvizuar se Aleanca duhet të përballet e t’u përgjigjet shqetësimeve për boshllëqet ekzistuese të sigurisë.

“Shtyrja e vendimeve të vështira lidhur me aftësitë dhe rolin e ardhshëm të Aleancës, apo një bashkëpunim i mekët, nuk janë përgjigjia”, thotë Bushati duke konkluduar se: “Nuk duhet kursyer asnjë përpjekje kur flitet për fuqizimin e NATO-s. Përndryshe, aneksimi i Krimesë nga Rusia e Putinit do të jetë vetëm fillimi”.

Top Channel