Hetim akuzave për trafik droge

19/04/2014 00:00

Në një kohë kur opozita pretendon se ka fakte për përfshirje të Forcave të Armatosura në trafik droge, por që ende nuk i ka bërë ato publike, mazhoranca propozon ngritjen e një Komisioni Hetimor parlamentar.

Top Channel disponon këtë kërkesë depozituar në Kryesinë e Kuvendit paraditen e se shtunes, një nismë nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Objekti hetimit, thuhet në projektvendim, ka të bëjë me “verifikimin e akuzave të artikuluara publikisht nga përfaqësues të lartë politikë kundrejt Forcave të Armatosura për vënien në dispozicion të infrastrukturës së ushtrisë për veprimtari kriminale; transport i lëndëve narkotike”.

Më tej në projektvendim thuhet se “Komisioni ka për objekt të veprimtarisë së tij zbardhjen e plotë të motiveve dhe arsyeve, verifikimin e plotë të fakteve dhe të provave që provojnë ose përgënjeshtrojnë akuzat e artikuluara publikisht nga përfaqësues të lartë politikë kundrejt Forcave të Armatosura për veprimtari kriminale”.
Mazhoranca propozon që ky Komision të përbëhet nga 9 anëtarë nga shumica parlamentare dhe 4 nga opozita me nje  veprimtari 30-ditore.

Nëpërmjet një deklarate për mediat nënkryetari Grupit Parlamentar socialist Taulant Balla thotë se “zbardhja e plotë të motiveve dhe arsyeve, si dhe tregimin e fakteve dhe provave, mbi të cilat janë mbështetur këto akuza, kanë një rëndësi të veçantë për imazhin e Forcave të Armatosura të një vendi anëtar të NATO-s, në përmbushje të detyrimeve që rrjedh nga ky anëtarësim.”

“Këto akuza, thekson Taulant Balla, nëse nuk mbështeten në prova dhe në fakte dëmtojnë rëndë imazhin dhe perceptimin publik në lidhje me Forcat e Armatosura, si brenda vendit ashtu dhe në arenën ndërkombëtare”.

PD përforcon akuzat për trafiqet e narkotikëve

Ndërkohë, më herët gjatë ditës, Partia Demokratike përforcoi akuzat e saj ndaj qeverisë për përdorimin e infrastrukturës ushtarake për trafik droge.
Në një deklaratë për mediat, përfaqësuesja e PD, Silvi Bardhi iu referua lajmit të publikuar në një të përditshme shqiptare, që sipas saj konfirmon akuzat.

“Gazetari i “Rilindja Demokratike” ka zbuluar mekanizmin e shpërndarjes së drogës me avionë në bazat ushtarake. Në shkrimin e tij, ai ka lënë shënim se do të vijojë në numrin e nesërm. Ky lajm ka prishur terezinë e shefave politikë të trafikantëve dhe gazetarit i është dërguar një mesazh kërcënues në celular, nga interneti për të fshehur gjurmët”, tha Bardhi.

Bardhi deklaroi se qeveria dhe kryeministri në veçanti duhet të përgjigjen për këtë çështje. “PD i kërkon kryeministrit të marrë masa dhe mbështet gazetarët në këto ditë të vështira. Këto trafiqe nuk mund të bëhen pa bekimin e kryeministrit dhe ministrave të tij”, shtoi përfaqësuesja e partisë opozitare.

FOTO GALERI
1/2

Top Channel