Fushë Krujë, pranga autorëve të tritolit

19/04/2014 00:00

Afro 30 kg tritol të ndara në 100 kallëpe të destinuara për tregun e brendshëm kriminal janë sekuestruar nga policia e qarkut të Durrësit gjatë operacionit “Detonatori”.

Katër persona janë vënë në pranga, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim si të përfshirë në aktivitetin kriminal të trafikimit të lëndëve plasëse në rrethin e Krujës.

Policia lokale ishte përfshirë në këtë operacion, ndërkohë që rreth orës 22.15 të së premtes, në stacionin e policisë së Fushë Krujës, nga disa persona është hedhur në oborrin e pasëm një sasi tritoli, që ka shkaktuar vetëm dëme materiale.

Drejtoria e policisë së qarkut Durrës bëri të ditur se Sektori kundër Drogës dhe trafiqeve të paligjshme, në bashkëpunim me Prokurorinë për Krimet e Rënda në Tiranë kishin nisur një hetim njëmujor në ngarkim të disa personave që trafikonin lëndë plasëse në Krujë.

Gjatë operacionit u kap në flagrancë dhe u arrestua në orën 05.00 të së shtunës shtetasi Dorjan Picorri, 28 vjeç, lindur në Krujë e banues i përkohshëm në Tiranë.

Disa orë më vonë u realizua edhe kapja e shtetasit Saimir Ajazi, 34 vjeç, edhe ky nga Kruja dhe me banim të përkohshëm në Tiranë, si dhe e shtetasve Redi Ndreu dhe Erald Bami vetëm pak orë më vonë. Policia për arsye hetimi nuk ka bërë të ditur identitetet e dy të shpallurve në kërkim si pjesë e këtij trafiku.

Nga hetimet e ndërmarra deri tani rezulton se anëtarët e këtij grupi kriminal dyshohen si autorë të mundshem edhe të shpërthimit të ndodhur natën e kaluar në komisariatin e policisë së Fushë Krujës.

Top Channel