Reshjet e shiut gjatë ditëve të fundit kanë shkaktuar vërshime në disa nga fshatrat e komunës së Prishtinës. Fshatrat e përmbytur janë Llukar, Makoc, Mramor, Bërnicë, Keqekollë dhe Prugoc.

Në këto fshatra, për të vlerësuar situatën mëngjesin e së shtunës kanë dalë drejtori i Shërbimeve Publike, Ardian Gashi, ai i Inspeksionit, Xhelal Sveçla, si dhe drejtori i Infrastrukturës Lokale, Hysen Durmishi, së bashku me ekipet e tyre.

Nga zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri bëhet e ditur se komuna është e angazhuar me të gjitha kapacitet për të normalizuar situatën nëpër fshatrat e përmbytura.

Me ekskavator po bëhet hapja e rrugëve, kurse përmes thasëve të mbushur po bëhet bllokimi i ujit nëpër vendet e prekura. Ndërkohë, sipas Tahirit, problemi aktual është zgjidhur në fshatin Bërnicë. Tani po punohet në fshatrat tjerë si dhe në Fushën e Pajtimit.

Fshatrat e vërshuara po i viziton edhe kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti. Në anën tjetër mësohet se vërshime ka pasur edhe në disa fshatra të komunës së Podujevës.

Top Channel